Reagon kryebashkiakja e Libohovës: S’ka vend për panik, problemi me kaldajën u zgjidh. Tv Gjirokastra tha 3 të pavërteta
Tv Gjirokastra transmetoi sot një kronikë lidhur me problemin e krijuar në kaldajën e ngrohjes në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Libohovë. Por sipas kryebashkiakes Luiza Mandi, ky raportim kishte të pavërteta. Përmes një reagimi në Facebook, Mandi sqaron problemin e krijuar dhe thotë se s’ka vend për panik. Më poshtë deklarata e saj dhe video ku mund të shihni kronikën e Tv Gjirokastra. (minuta 08:26)
S’ka asnjë vend për panik lidhur me problemin e kaldajës në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi”. Avaria u krijua për shkak se ishte hedhur pakëz më tepër gaz sesa sasia që duhet të mbushet normalisht impianti. Gjithçka u rregullua dhe kaldaja do të funksionojë si më parë që prej ditës së nesërme. Keqardhje për raportimet e njëanshme dhe pavërtetat e transmetuara në mediat lokale. Nuk u mbushën klasat me gaz sepse rrjeti i tubacionit është nga jashtë shkollës. Thjesht për shkak avarisë së krijuar era e gazit nisi të ndihet disi në ambientet e jashtme. Për siguri dretoria e shkollës i nxori nxënësit për rreth një orë nga klasat. Është e pavërtetë që kaldajat nuk kanë funksionuar. Është e pavërtetë që nxënësit bëjnë mësim në të ftohtë. Rikonstruksioni i shkollës “Avni Rustemi”, ndërtimi i palestrës së re dhe sistemi i ngrohjes me kaldaja është një nga investimet më të mira që kemi bërë në Libohovë. Shqetësimin e prindërve dhe të nxënësve e mirëkuptoj, por mos bini pre e panikut, që me dashje apo nga padija, tentojnë të krijojnë mediat. Ftoj Tv Gjirokastra të vijë sërish nesër apo në vazhdim për të parë funksionon apo jo sistemi i kaldajave, kanë apo jo ngrohje nxënësit e shkollës “Avni Rustemi”.