Rëndohet situata, lumi Drinos del nga shtrati. Në rrezik disa banesa në Vrisera
Pas një moti me stuhi dhe erë gjatë gjithë natës, Gjirokastra sot paradite u paraqit në gjendje pak më të stabilizuar. Energjia elektrike që mungonte prej orësh u rikthye, por dëme të shumta janë vërejtur në rrugë dhe banesa pasi era e fuqishme e shoqëruar me shi të rrëmbyer zgjati për gjatë gjithë natës.
Rreth mesditës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati edhe lumi Drinos, në fshatin Vrisera të Dropullit . Edhe pse këtij lumi i ishte vendosur argjinaturë, prurjet e tij kanë qenë aq të mëdha. Për pasojë janë përmbytur disa toka bujqësore ndërsa rrezikohen të përmbyten edhe banesat e fshatit. Po kështu raportohet për mungesë energjie edhe në 4 fshatra të Dropullit.
Rreth mbrëmjes mësohet të jetë përmbytur edhe aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë nga vërshimi i një përroi në rrugë. Situata paraqitet më problematike në segmentin Kordhoc-Gjirokastër. Ndërkohë që mësohet të jetë përmbytur edhe rruga në hyrje të Lazaratit./bw