REPORTAZHI (3)/ Lidhjet e trafikantëve kosovarë me Lazaratin

timthumb (9)Pjesa e tretë e reportazhit të gazetës kosovare “Zëri” në fshatin Lazarat.

Me vetëm pesë euro në Prishtinë, por edhe qytetet tjera të Kosovës, mund të blesh sasinë prej 2-3 gramë marihuanë. Aq edhe janë paketimet e “barit”, që në treg njihen si “pesëshe”. Ky emërtim për marihuanën, nuk vjen nga pesë eurot që do të duhej paguar, por nga sasia miligramëshe sa do të duhej ta kishte një qese marihuanë.

Por, burime të gazetës “Zëri” në Policinë e Kosovës kanë rrëfyer se narkomanët, por edhe narkodilerët që punojnë me sasi të vogla të marihuanës, pas “rënies së Lazaratit” kanë zvogëluar sasinë e drogave në kese. Kjo është bërë qëllimshëm, por jo vetëm për shkak të shtrenjtimit të çmimit thuajse dyfish. Siç thonë të njëjtat burime të gazetës brenda policisë, një arsye tjetër e zvogëlimit të paketimeve, ndërlidhet me frikën e kapjes në flagrancë me sasi mbi 3 gramë.

Kështu, narkodilerët, e kanë kuptuar se në rast se kapen me sasitë mbi 3 gramë, atëherë duhet të ballafaqohen me krimet e rënda, kurse po qe se u kapën me ato nën këtë peshë, atëherë do të llogaritet si sasi për konsum dhe përgjegjësia është më e vogël.

Kosovarët që kishin lidhje me Lazaratin janë arrestuar

Megjithatë, goditja që iu bë nga shteti shqiptar, qendrës së kultivimit të kanabisit në Lazarat të Gjirokastrës, sipas zyrtarëve policorë, ka pasur ndikim edhe në tregun e Kosovës.

Dhe, në aksionin e shkatërrimit të produkteve narkotike në Lazarat, del se nuk ishin përfshirë vetëm banorët e Shqipërisë.

Bahri Shala, udhëheqës i njësisë antidrogë në Policinë e Kosovës, ka konfirmuar për “Zërin” se ka persona të arrestuar në Kosovë për të cilët hetimet kanë treguar se blinin produkte narkotike të llojit marihuanë në Lazarat. “Njëkohësisht kemi kosovarë të arrestuar në Shqipëri që kanë qenë në lidhje me grupe nga atje. Këto informacione janë shkëmbyer mes dy policive në kohë reale dhe janë realizuar operacione të njëkohshme dhe janë zhvilluar hetime të përbashkëta”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se pas “rënies” së Lazaratit, në Kosovë është vërejtur një ulje e konsumimit, posedimit dhe trafikimit të substancave narkotike, të llojit marihuanë.

“Kemi ulje të ofertës për këtë lloj të substancave narkotike”, ka thënë Shala, sipas të cilit, prania e marihuanës në treg është më e vogël.

Kjo, thotë ai, ka ndodhur për faktin se pjesa më e madhe e kësaj substance ka pasur origjinën nga Shqipëria.

Rënia e Lazaratit, shtrenjtoi marihuanën në Kosovë?

I pyetur nëse rënia e Lazaratit në Shqipëri rrit “apetitet” e kosovarëve për prodhimin e kanabisit, Shala ka thënë se aktualisht nuk mund të konkludohet në lidhje me këtë, pasi për kultivimin e kësaj bime nevojiten disa kushte natyrore dhe artificiale.

“Policia shqiptare ka shkatërruar plantacionet në Shqipëri në një fazë kur është i pamundur rikultivimi për shkak të stinës (vjeshtë-dimër). Bima e kanabisit duhet të mbillet në pranverën e hershme dhe për këtë vit është i pamundur kultivimi në Kosovë”.

Megjithatë, Shala nuk përjashton faktin se rreziqet e kultivimit mund të paraqiten vitin e ardhshëm, për shkak të mungesës në treg të marihuanës që vinte nga Shqipëria.

Përveç mungesës në treg, sipas Shalës, është evidente edhe rritja e çmimit të kësaj substance.

“Çmimi për momentin i kësaj substance është rritur, por në të ardhmen presim të rritet edhe më shumë. Dhe kjo varet edhe nga cilësia e substancës”, ka thënë Shala.

Por, ndryshe nga Policia thonë ekspertë që merren me personat e varur nga drogat.

Safet Blakaj është udhëheqës i organizatës joqeveritare “Labirinti” që është e vetmja OJQ kosovare që ofron këshilla psikiatrike, shërbime terapeutike dhe trajtime zëvendësuese, si dhe psikoterapi për individë, familje dhe grupe që mund të jenë nën varësi të substancave narkotike. Bazuar nga raportimet e klientëve që ka kjo OJQ, siç thotë Blakaj, del se nuk është vërejtur ndonjë ndikim as në fillim të rënies së Lazaratit e as tani, sa i përket drogës kanabis.

“Po ashtu sa i përket çmimit të marihuanes nuk ka ndonjë ndryshim esencial, dhe sillet si gjithmonë 5 euro rreth dozës për 3 gramë”, thotë Blakaj, sipas të cilit, në treg nuk është vërejtur mungesë e kësaj droge.

Marihuana “Made in Kosova” nuk është shumë kualitative

Për dallim prej zyrtarëve policorë që thonë se ka rënie të përdorimit të narkotikëve, Blakaj thotë se është pakëz herët të flitet nëse ka pasur ndikim rënia e Lazaratit për rritjen apo rënien e përdoruesve të marihuanës në Kosovë. “Mirëpo atë që kemi vërejtur deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndikim sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Blakaj.

Se Lazarati nuk ka pasur ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë, Blakaj e arsyeton edhe me faktin se grupet e krimit kanë pasur prioritet që drogën e prodhuar në Lazarat ta plasojnë në vendet e perëndimit dhe tregu i Kosovës nuk ka paraqitur ndonjë rëndësi për ta.

“Po ashtu duhet të kemi parasysh se droga marihuanë nuk është prodhuar vetëm në Lazarat por edhe në disa pjesë të tjera në Shqipëri, që kanë prodhuar këto 5-6 vitet e fundit”.

Ndryshe, marihuana që prodhohet në Kosovë, sipas Blakajt, nuk është e cilësisë. “Duke u bazuar në raportet e klientëve nuk e ka ndonjë cilësi të marihuanës që e lakmojnë përdoruesit e marihuanës në Kosovë”.

*Zëri