Restaurimi, si po transformohet ditë pas dite Kisha e Hoshtevës (VIDEO)
Pas Kishës së Shën Marisë në Labovë dhe Kishës së Peshkëpisë në Dropull, Ministria e Kulturës po restauron një tjetër objekt kulti në Gjirokastër. Bëhet fjalë për Kishën e Hoshtevës në krahinën e Zagorisë.
“Po punojmë në një tjetër kantier restaurimi. Kisha e Shën Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë do t’i shpëtojë rrënimit dhe shumë shpejt pritet të jetë gati për besimtarët dhe vizitorët. Punimet që kryen IMK kanë hyrë në një fazë tjetër. Restaurimi nuk është veç për të mbrojtur trashëgiminë, por edhe për të zhvilluar turizmin në këtë zonë. Zagoria i ka të gjitha potencialet; bukuri natyrore dhe monumente me vlera të rralla”, thotë ministrja e Kulturës dhe deputetja e qarkut, Mirela Kumbaro teksa publikon një video nga kantieri.
Aktualisht Instituti i Monumenteve të Kulturës ka 33 kantiere restaurimi në të gjithë vendin, kryesisht në kisha, xhami, ura dhe objekte të tjera monumentale.