Restaurohet ura që dikur lidhte Gjirokastrën, Libohovën dhe Janinën. Ministrja inspekton punimet në Kordhocë
Përveç Urës së Nivanit në Zagori, restaurimit po i nënshtrohet edhe ura e Kordhocës në Lazarat, një monument kulture që daton prej vitit 1820. Për të parë nga afër punimet që nisën muajn e shkuar, ishte në kantier edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, njëherazi edhe deputete e qarkut.
Por ajo që vihet re nga fotot është orari i pazakontë që Kumbaro kishte zgjedhur për të shkuar tek ura; kur po binte muzgu dhe kur në kantier nuk kishte asnjë tjetër. Sipas historianëve ura është ndërtuar rreth vitit 1820 dhe në atë kohë ishte nyja kryesore lidhëse për tre qytete, Gjirokastrën, Libohovën dhe Janinën, ndërsa aktualisht është e vetmja nyje lidhëse në luginën e Drinos.
Konstruksioni i gërshetuar me stilin e arkitekturës orientale osmane, tre harqet e mrekullueshme dekorativë dhe shtrimi i plotë me kalldrëm i japin vlera të mëdha historike e arkitekturore, ndërkohë që tanimë është funksionale për kalimin e këmbësorëve dhe automjetëve. Ura është e gjatë 20 metra dhe e lartë në pikun e saj 7 metra. Restaurimi i saj bëhet me fonde të Ministrisë së Kulturës.