Rexhai Teki Libohova, njeriu që njohu burgun e fashizmit dhe atë të komunizmit
Është bërë e natyrshme që disa prej shqiptarëve dhe në veçanti ata që gëzonin statusin e njeriut të dashur, në qytet, dhe faji që ishin intelektualë të provonin burgun e okupatorit gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe atë të “çlirimtarëve”, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Këtij fati nuk i shpëtoi një prej qytetarëve dhe familjeve fisnike të Lushnjës, Rexhai Teki Libohova. Rexhai Libohova lindi më 27 maj 1912. Familja rridhte nga fisi i Ismailatëve në Libohovë, por që morrin mbiemrin Libohova, për shkak të vendit nga vinin.
Rexhaiu lindi në një familje ku gërshetoheshin intelektualizmi dhe patriotizmi. I ati i tij, Tekiu Beu (siç e thërrisnin), kishte një emër të mirë në qytet. Madje, bashkëkohës të tij pohonin se Tekiu kishte qenë mikpritës i senatorit të famshëm francez, J. Godard, gjatë vizitës së këtij të fundit në Shqipëri. Tekiu njihej edhe si djali i Halid Beut, i cili pas shkollimit në Stamboll, në jurisprudencë shërbeu si Kadiu (gjyqtar) i qytetit të Beratit. Jo pak rrënjë të forta atdhetarizmi kishte e ëma e Tekiut, Hedije Mustafaraj. Ajo ishte e bija e Elmaz Mustafarajit, që njihte në popull me emrin Elmaz Kanina, në nderim të vendit nga ishte. Prindërit dëshironin që aftësive të Rexhaiut t’i përshtatnin një shkollim sa më të mirë. Pas mbarimit të shkollës 6-vjeçare në qytetin e lindjes, Lushnjë, në vitin 1928-1930, Rexhaiu studioi në Kolegjin Internacional “Monte Maria”, në Romë.
Për të plotësuar studimet, kthehet në atdhe ku përfundon me rezultate të larta Shkollën Tregtare të Vlorës. Duke parë zellin e tij për shkollim në fushën ekonomike, familja e dërgon në Selanik, ku përfundon Institutin Tregtar Italian. Në këtë Institut, ai merr diplomën “Financier”. Rikthehet përsëri në atdhe, ku pas konkurrimit që zhvillohet për vendin e konsulentit financiar, të zhvilluar nga Dhoma e Tregtisë të qytetit të Elbasanit e fitoi me meritë. Në këtë qytet, ai do të shohë ngritjen e tij si intelektual, do të provojë ndjenjat e para të dashurisë, do të hedhë themelet e familjes së tij; por edhe hidhërimin e burgut të fashizmit dhe fillesën e kaluarit të vuajtjeve të komunizmit. Fati duket se i buzëqeshi kur Rexhaiu u njoh me vajzën e Shefqet Daiut, sekretarit të dytë të Kuvendit të Shpalljes së Pavarësisë dhe njëkohësisht bashkëfirmëtar i Aktit të Shpalljes së Pavarësisë. Edhe vetë Rexhaiu duket se kishte interes në kuptimin e zhvillimeve politike dhe ndikimeve që ato sillnin. Në këtë kureshtje kishte ndikim edhe veprimtaria e xhaxhait të tij, Dr. Mustafa Libohova. Por duket se të ardhmen e tij do ta shënjonin vitet 1939-1944.
Përfshirja e familjes Libohova, në Lëvizjen Antifashiste 1939-1944
Në fillimet e okupacionit italian në Shqipëri e gjejnë Rexhaiun dhe vëllezërit e tij, Skënderin dhe Aqifin, në kundërshti me regjimin e ri. Duket se autoritet reaguan shpejt për të neutralizuar veprimtarinë e vëllezërve Libohova. Nën pretekstin për të thelluar studimet e tij, Rexhai Libohovën, italianët e dërguan në vitin 1940 në Itali, në shkollën plotësuese të asokohe për ushtarakët në Spoleto. Natyrshëm, kjo ishte jashtë dëshirave dhe për më tepër, interesave të Rexhaiut. Pas dy muajsh qëndrimi, në këtë shkollë, ai riatdhesohet “si i paaftë dhe i papërshtatshëm”. Ky etiketim do t’i kushtonte më vonë. Ndërkaq, i vëllai, Skënderi, që vazhdonte shkollën tregtare në Vlorë, kishte filluar të binte në sy për aktivitetin e tij antifashist.
Ndonëse ishte i shkëlqyer me mësime nuk u lejua të diplomohej i etiketuar si “element i rrezikshëm dhe nxitës i turbullirave”. E gjithë kjo veprimtari e skeduar nga italianët do të kulmonte me arrestimin e Rexhai Libohovës, më 7 nëntor 1941. Sikundër e përmendëm edhe më lart, italianët nuk ia kishin falur qëndrimin e tij në Spoleto. Pas arrestimit, dërgohet në burgun e Tiranës. Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës, me aktakuzën nr. 4337/3435 RSE, e dënon me tre vjet burg. Në maj 1942, e dërgojnë në burgun e Elbasanit. Por, siç thotë populli, gëzimi dhe hidhërimi janë bashkë. Në prill të vitit 1942, i lind vajza Elisabeta, të cilën e sheh vetëm pas hekurave të burgut. Ndërsa vuante burgun e tij, Rexhaiu nuk ishte në dijeni se 18 ditë pas tij u arrestua edhe vëllai Aqifi. Në raportin Nr. 175, datë 25.11.1941, mes të tjerash, thuhet: “Hetimet e disponueshme kanë përfunduar në arrestimin e z. Aqif Libohova. Kjo provë e faktit bashkohet dhe më atë të vëllait, Rexhaiut, i cili është marrë prej gjyqit ushtarak të Tiranës”.
Rexhaiu u lirua në nëntor të vitit 1942, ndërsa i vëllai, Aqifi, ishte liruar në prill 1942. Rexhaiu rikthehet në Elbasan dhe vendoset pranë shtëpisë së aktivistit të njohur të Luftës Tomor Sinanit. Gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Elbasan, T. Sinani e sjell për vizitë në shtëpinë e Rexhaiut. Qëllimi i kësaj vizite, sipas shënimeve të R. Libohovës, ishte për ta aktivizuar këtë të fundit në me lëvizjen komuniste në Lushnjë. Rexhaiu iu përgjigj se ai ishte i ekspozuar ndaj autoriteteve dhe se nuk ishte i gatshëm të merrte një përgjegjësi të tillë. Këtë përgjigje, Hoxha duket se do ta mbante vath në vesh. Ndërkaq, të dy vëllezërit ishin rreshtuar në formacionet partizane të kohës dhe shtëpia që kishin në Lushnjë u dogj nga gjermanët.
Babë e bir në burg
Në prag të çlirimit të Shqipërisë, “në respekt” të gjakut të derdhur në Mal të Zi nga vëllezërit Aqif dhe Skënder Libohova, më 5 nëntor 1944, me Urdhrin Nr. 431 të firmosur nga Gjeneral Spiro Moisiu, në cilësinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, T. Libohova, babai i dy dëshmorëve arrestohet dhe torturohet gati për vdekje. Krejt papritur, dikush kujtohet se është babai i dy dëshmorëve dhe lirohet nga burgu. Më 6 korrik 1947, Tekiu riarrestohet nga Drejtoria e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Lushnjë. Për pesë ditë me radhë iu nënshtrua torturave për ta detyruar të firmosë një dokument të servirur nga Sigurimi i Shtetit ku pranonte bashkëpunimin me të huajt.
Kur e panë se nuk u thye nga torturat, në mes të natës e plasën në pragun e shtëpisë, gati gjysmë të vdekur. Faji i vetëm i tij ishte se vinte nga familje të pasur dhe se regjimi do të bënte të pamundurën që ta etiketonte në një mënyrë apo një tjetër. Rexhaiu, i biri i Tekiut, ishte burgosur në vitin 1945, vetëm një vit pas çlirimit. Tre vjet pas burgut të fashizmit, nuk iu nda dënimi me burg, as nga komunizmi. Rexhaiut i vinte në mendje refuzimi i propozimit të E. Hoxhës, që me shumë gjasa nuk ishte harruar nga ata që morrin pushtetin. Ende pa u tharë gjaku i vëllezërve të Rexhaiut dhe i bijve të Tekiut, babë e bir do t’u rezervohej shpërblimi i pushtetit popullor burgu. Po cili qe krimi i financierit dhe njeriut që ishte arrestuar nga italianët si i padëshirueshëm për regjimin fashit?
Në Buletinin Special të Gjyqit të Popullit të datës 23.6.1946 përshkruhen akuzat dhe përgjigjet e Rexhaiut ndaj tyre. Citojmë: “Akt-Akuza: 1. Rexhai Libohova ka qenë autor i zbulimit të Këshillit Nacional-Çlirimtar të qytetit Elbasan. 2. Ka qenë shkaktar i arrestimit nga gjermanët të Tomor Sinanit. Në përgjigje të këtyre akuzave Rexhaiu shpjegoi pozitën e vet. “Për arrestimin e Tomor Sinanit, ngjarja ka ndodhur në 12.11.1943. Një ditë më parë se të bëhej shtetrrethimi, takova zotin dhe zonjën Debrova. Meqenëse u bë vonë, fjeta tek ata. Nuk kam gisht në këtë arrestim. Sa për Këshillin Nacional-Çlirimtar, s’kam qenë në Konferencën ku zgjodh Presidiumi, që do të zgjidhte Këshillin, kështu që nuk pata mundësinë me tregue e me zbulue gja”. Në mbështetje të shfajësimin për arrestimin e Tomor Sinanit dëshmuan nëna e Tomorit dhe mësuesi i nderuar, Hasan Dylgjeri. Rexhaiun e dërgojnë në Maliq që quhej dhe si kampi i vdekjes. Pas shumë vuajtjesh, rikthehet në Lushnjë i drobitur, por aspak i thyer nga trajtimi që po i ofronte pushteti i popullit.
Pas daljes nga burgu e viziton Hasan Gina, njeri me pushtet, por i njohur si njeri i respektuar dhe i drejtë. Për këtë veprim, Enver Hoxha do ta cilësonte kusht H. Ginën, në veprën VI “Ky njeri (H. Gina) përgëzon njerëz që dalin nga burgu, duke mohuar luftën e klasave”. Në vitin 1949 i vdes i ati, Tekiu. Rexhaiu i përkushtohet familjes duke punuar në punë të rëndomta, por me dinjitetin e njeriut që nuk i përkulej së keqes. Njerëzit e respektonin dhe në shenjë mirënjohje e quanin “Babi”. Ky ishte më shumë se një titull, respekti i qytetit për njeriun e mirë. Ndonëse jetonte i izoluar, miqtë e tij iu gjendën pranë. Ndër ta mund të përmendim klerikun e nderuar, Irene Banushin, avokatin Ferit Çabej, mësuesin V. Gallani, Pandeli Stringën etj. Pa dyshim që më i veçanti mbetet Dr. Ihsan Çabej (deputet në Parlamentin e vitit 1992). Doktori për të ishte miku i mirë, mjeku i përkushtuar, njeriu që bëri çdo përpjekje për të lehtësuar dhimbjet e jetës dhe ta hiqte nga kthetrat e vdekjes. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, mjeku i talentuar shikonte me dhimbje në spitalin e qytetit të Lushnjës, se si para syve të tij po shuhej jeta e një miku të shtrenjtë. Këtë e kishte kuptuar edhe vetë Rexhaiu, kur i thotë: “Doktor, dua të vdes në shtëpi”. Më 1 prill të 1980-ës, Rexhaiu u largua nga kjo jetë i përcjellë nga dashuria e bashkëqytetarëve të tij, që nuk nguruan ta respektojnë ditën e fundit në këtë botë. Ndonëse iu nënshtrua përçmimit të pushtetit, ai fitoi atë që është më e rëndësishme: Respektin e bashkëqytetarëve të tij. Ai jetoi një jetë të trazuar, por një jetë plot kuptim brenda fabulës “Më mirë një ditë jetë si njeri, sesa një jetë si zvarranik”.
Është në detyrimin tonë të tregojmë vuajtjen e njerëzve të thjeshtë nga një regjim që vetëm njeriun nuk respektonte. Nëse heshtëm në atë kohë, të paktën t’i respektojmë tani që jemi të lirë, duke çliruar edhe të afërmit e këtyre nga balta e pamerituar e regjimit komunist./Republika