Rikthehet në vetting prokurori i Gjirokastrës, do shqyrtohen denoncimet ndaj tij

Pas shqyrtimit të vendimit të KPK, Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin për prokurorin e Gjirokastrës, Juljan Çafka. Komisioneri Publik thotë se shqyrtuan çështje të pahetuara, për të cilat kërkohet rihapet një hetim gjyqësor.

Njoftimi

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Gjirokastër.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, aktet shoqëruese të tij, si dhe një denoncim të depozituar pranë Institucionit të Komisionerëve Publikë, pas njoftimit të vendimit të Komisionit, konstaton se në këtë denoncim referohen çështje të pahetuara më parë, për të cilat kërkohet një hetim i mëtejshëm.

Në këto kushte, Komisioneri Publik vlerëson të nevojshme, që brenda juridiksionit rivlerësues/kontrollues të Kolegjit, ky i fundit, në shqyrtim të këtij ankimi, të riçelë hetimin gjyqësor dhe, në përfundim të tij, të vendosë, në mënyrë alternative, lënien në fuqi ose ndryshimin e vendimit nr. 442, datë 14.9.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Juljan Çafka.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.