Roland Bejko, ky humbës i madh…
Për të tretën herë Roland Bejko nuk ka arritur të zgjidhet deputet. Votat që PD ka marrë në këto zgjedhje janë të pamjaftueshme për t’i dhënë asaj dy deputetë në qarkun Gjirokastër. Në vitin 2001 Bejko kandidoi për herë të parë. Më pas provoi sërish në vitin 2013 nën siglën e Partisë Republikane. Në zgjedhjet e vitit 2017 ai ishte i dyti në listën e PD-së, ndërsa vendin e parë Basha ia besoi një kandidati të dalë mode si Tritan Shehu. Por si mund të shpjegohet kjo humbje?
Roland Bejko akuzoi ashpër Genc Rulin për zgjedhjet e vitit 2013. Mes tyre pati përplasje verbale në disa raste. Në vitin 2014 Roland Bejko u zgjodh kryetar i PD-së në Gjirokastër, përmes një procesi të kontestuar. Kandidati rival, Shemsho Lamaj ka hedhur akuza për manipulim të garës. Po kështu edhe anëtarja e Kryesisë së PD-së, Alije Kokalari. Bejko kishte mbështetjen e Bashës dhe klanit të Lazaratit në PD-në e Gjirokastrës, ndërsa Shemsho Lamaj ishte kandidati ‘kukull’ i futur në garë nga Genc Ruli dhe klani i tij në Gjirokastër.
Sidoqoftë Bejko fitoi dhe nisi punën për të ringritur PD-në, por përçarja në radhët e demokratëve vazhdoi përgjatë 4 viteve të opozitës. Edhe pse formalisht hiqeshin sikur kishin bashkëpunim, në të vërtetë PD ishte dhe është e përçarë. Në vitin 2015, PD humbi Bashkinë Gjirokastër dhe Bashkinë Libohovë. Formalisht fitoi vetëm Dropullin me një kandidat ‘kukull’ të vendosur nga Vangjel Tavo.
PD humbi në Gjirokastër edhe për shkak të figurave me të cilat ajo i prezantohet elektoratit. Këtu nuk është fjala vetëm për një kandidat të lodhur si Tritan Sheuhu, por për gjithë ‘armatën’ e njerëzve të ‘damkosur’ në qeverisjen 8-vjeçare të PD-së. Të njëjtat fytyra ish-drejtorësh apo funksionarësh, të korruptuar e arrogantë që u ndëshkuan me votë në vitin 2013, dalin ende sot pas 4 vitesh flasin në emër të ‘republikës së re’, a thua se qytetarët nuk kanë memorie për çfarë kanë ndodhur në të kaluarën.
PD nuk mund të fitojë më asnjëherë me këta njerëz, të cilët fodullëkun dhe arrogancën e shesin për vlerë. Mes këtyre arrogantëve ishte padiskutim edhe Roland Bejko, retorika e të cilit ishte në shumë raste refraktare. Mjafton të përmendim këtu edhe disa raste kur Bejko sulmonte portalet lokale në Gjirokastër, vetëm sepse mendonin ndryshe prej tij. Ndërkohë që me gjysmë- portalin që kontrollon, shpërndante me dhjetra lajme të rreme në javë, sidomos kundër LSI-së. I gjithë ky sulm bëri efekt të kundërt dhe PD është katandisur sot në këtë nivel. Boll fajësuat njerëzit se gjoja nuk vlerësuan programin tuaj, boll i bëtë ‘gjyq’ qytetarëve.
Fajin kërkojeni tek vetja, fajin kërkojeni tek njerëzit dhe strukturat tuaja. Kandidatë si Tritan Shehu dhe Roland Bejko s’kanë asnjë lidhje me vlerat që preferon sot zgjedhësi. Dhe ky këndvështrim s’ka të bëj e as me Tritan Shehun e as me Roland Bejkon si individë, të cilët janë dy njerëz të mirëshkolluar, por nuk frymëzojnë më politikisht. Bejko i pati bërë gabim llogaritë, sepse nuk mund të zgjidhet deputet vetëm me votat e fshatit të tij. Është koha që PD-ja të hapet, të reformohet me njerëz të rinj. Ata që e katandisën në këtë derexhe, meritojnë veç të qëndrojnë në librat e historisë së kësaj partie.
/Libohova Online/