Romët japin 2 fëmijë me qira për 30 mijë lekë dita
Investigimi i emisionit “Fiks Fare” mbi problematikën e fëmijëve që shfrytëzohen nga të afërm apo persona të tretë vijoi edhe mbrëmjen e djeshme. Fakte të reja akoma edhe më tronditëse u nxorën në pah nga gazetarët e këtij emisioni. Në rrugët e Tiranës është më e lehtë të bësh pazar për të marrë me qira dy fëmijë sesa një apartament. Madje është shumë herë më lirë. Dy gra që ndodheshin në situatë rruge, duke lypur, pranojnë ofertën e Fiksit për të dhënë me qira dy fëmijë të cilët do të përdoreshin më pas për të lypur pranë një institucioni shtetëror.
Në fillim gratë hezituan, pasi nuk ishin fëmijët e tyre po pavarësisht kësaj ato i joshin shifra që do të merrnin çdo mëngjes, sa herë që fëmijët do të jepeshin prej tyre me qira. Dy fëmijë për 30 mijë lekë të vjetra në ditë. Ato tregojnë se lypin për bukën e gojës. E vetmja garanci që duan është të jesh njeri i Zotit. Të besosh në Zot sipas tyre është më se e mjaftueshme për të të lënë fëmijët me qira. Madje, njëra prej tyre arrin deri aty sa kërkon kapar 10 mijë lekë të vjetra që të sigurohet. Më pas ajo premton që fëmijët do t’i sjellë të nesërmen.
Një djalë 4-vjeçar vendin e punës e ka pranë Teatrit të Operës dhe Baletit, jo se pse është më i vogli balerin në këtë institucion, por është ndër më të vegjlit lypës që del vetëm në rrugët e Tiranës. Ai tregon se nuk është i shoqëruar me të ëmën, por heziton të flasë për “xhaxhin” që e ka sjellë aty, që e ka nxjerrë për të lypur. Për të lypur ato lekë, me të cilat, sipas tij, blen bukë. Djali në ballë ka një shenjë. Me një buzëqeshje të vrarë vogëlushi tregon se është vrarë: “E kam vrarë me sëpatë”, tregon ai. Ndërsa dy motra të cilat në orën që lypin duhet të ishin në shkollë tregojnë se vijnë për të lypur në qendër nga Bregu i Lumit. Prindërit e tyre, sipas vajzave, punojnë duke mbledhur e shitur kanoçe, të cilat i mbledhin në koshat e plehrave. Një nga institucionet, pjesë e grupit ndërministror për nismën e fëmijëve në situatë rruge është edhe Policia e Shtetit. Policia e Shtetit duhet të përgjigjet në çdo moment. Fiks Fare provoi të njoftonte Policinë e Shtetit, për të bërë dy njoftime.
Njoftimi i parë u bë për disa gra të cilat me fëmijë në duar po lypnin pranë trenit në bulevardin “Zogu i Parë”. Dy efektivë policie erdhën pas rreth 13 minutash. Sapo pikasën policinë dy prej grave u larguan. Ndërsa njëra, me dy fëmijë në dorë nisi të bënte debat. Debat që degjeneroi në fyerje dhe në një sjellje jo të hijshme nga Policia e Shtetit. Ata vetëm i përzunë nën kërcënimin se nëse do të dilnin prapë do t’i arrestonin burrin bashkë me fëmijët. Por kur gruaja e pyet se kush do t’ia ushqejë fëmijët, polici i përgjigjet: “Mos bëj 20 kalamaj ti”. Debati vazhdoi derisa njëri nga efektivët e kërcënoi sërish me arrest dhe e ofendoi gruan e cila në shkelje të ligjit ose jo kishte në dorë dy fëmijë. Fëmijë, të cilët sikur të mos u mjaftojë fakti që shfrytëzohen nga prindërit e tyre për të lypur duhet të gjenden edhe para një dhune verbale të Policisë së Shtetit, e cila ligjërisht duhet të jetë aty për t’i mbrojtur. Në rastin e dytë ne njoftuam sërish zyrën operative të Policisë së Tiranës, për disa fëmijë të cilët po shfrytëzoheshin pranë parkut Rinia. Këtë herë hasim një hezitim të çuditshëm tek oficerja e policisë që u përgjigj.
Ajo pranon se aty ka qenë edhe një tjetër grup shërbimi dhe pa u shqetësuar për fëmijët që lypin, fëmijët e komunitetit rom ajo na pyet nëse po na bezdisnin apo shqetësonin. Situata u sqarua vetëm kur situatën e mori në duar një nga kolegët e saj, i cili tha se policia do të vinte menjëherë. Pas rreth 24 minutash u shfaqën dy efektivë policie, të cilët kaluan pa e kthyer kokën ngjitur me gruan e cila qëndronte duke lypur në rrugë me dy fëmijë shumë të vegjël të shtrirë pranë këmbëve të saj. Policët nuk konstatuan asgjë. Pasi pyetën rojën e kioskës së pagesës së biletave të parkimit të bashkisë ata u larguan duke lënë pas dy foshnja, të cilat qëndronin gati gjysmë të veshur ulur në këmbët e asaj që njohin si gjyshja e tyre. Ata janë shumë të vegjël për të kuptuar që ajo po i përdor për të lypur. Shumë të vegjël për të kuptuar që polici indiferent duhet të jetë aty për t’i mbrojtur, në zbatim të ligjit./shqip