Rrëfimi i drugdhendësit nga Gjirokastra (FOTO)
Nga Besar Bajraktaraj
Punimet artizanale, kryesisht punimet me dru vazhdojnë të mbeten një prej traditave të vendit tonë, ndër më të preferuarat. Anastas Petridhi është një nga drugdhendësit e shumtë të vendit tonë, nga qyteti i Gjirokastrës, i cili për rreth 3 dekada e ushtron këtë zanat.
Petridhi me mjeshtëri punon jo vetëm simbolet e qytetit të tij me plot histori, por dhe një serë portretesh, veglash muzikore apo dhe një shumëllojshmëri të produkteve të tjera. Për vite me radhë ai nuk e ka braktisur profesionin e tij, pavarësisht vështirësive që ka hasur. Punimet prej zanatçiu kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, ku në shumicën e rasteve janë pikërisht emigrantët të cilët tërheqin këto vepra ,jo vetëm si një zgjedhje e mirë për të bërë ndoshta një dhuratë, por për të marrë me vete edhe një copëz të vendlindjes së tyre.
Përveç emigrantëve, Anastasi rrëfen për Frekuenca.com që janë të shumtë edhe turistët e huaj që blejnë punimet e tij. Në një bisedë të shkurtër ai rrëfen se do kishte shumë dëshirë ta trashëgonte si profesion, por është e vështirë që të pranohet si profesion nga të rinjtë pasi kërkon shumë punë dhe durim si zanat. Petridhi është një nga drugdhendësit e shumë të vendit tonë, që vazhdon ta ushtrojë zanatin e punimit të drurit, duke sfiduar kohën dhe ruajtur traditën.
Vështirësitë e zanatit dhe sfida për ta ruajtur profesionin
Anastasi pohon se punon prej 32 vitesh në këtë profesion, ku fillimisht e ka nisur në Greqi ndërsa më pas e ka vazhduar edhe në qytetin e tij të vendlindjes, në Gjirokastër. “Profesionalisht kam 32 vite punë me këtë profesion. 32 vite këtu brenda vendit dhe në emigrim, në Greqi, ku kam punuar 12 vite. Fillimisht si të gjithë emigrantët kemi bërë punë të ndryshme, në bujqësi apo industri ose punë të tjera. Pastaj me punën time arrita të hap dhe një dyqan në një qytet të Greqisë afër Janinës dhe Prevezës. Këtu në dyqan kam shumë produkte dhe herë pas herë mundohem të përfshij llojshmëri produktesh, pothuajse 150 lloje produktesh janë këtu, që nga të voglat deri tek më të mëdhatë. Të jesh në këtë punë për 32 vjet do të thotë të fitosh diçka, pasi me punë artizanale, punë të dorës mban familjen nuk është se bëhesh i pasur. Punët artizanale janë punë që vlerësohen, por duhet gjetur njeriu i përshtatshëm që të ketë pak vlerësim, të ketë pak kulturë”, thotë Petridhi.
Çfarë shitet më shumë në dyqanin e drugdhendësit
Gjithashtu në bashkëbisedimin me drugdhendësin, ai shprehet se cilat janë produktet që shiten më shumë. “Simbolet kombëtare janë ato që shiten më shumë, por preferencat janë nga më të ndryshmet, pasi vijnë nga vende të ndryshme dhe kanë kultura të ndryshme që kuptohet që kanë dhe preferenca të ndryshme, si simbolet kombëtare, nga më të voglat dhe deri më të mëdhatë, pra të madhësive të ndryshme. Puna e madhësisë është e rëndësishme pasi varet se me ç ‘mënyrë transporti vijnë ata, me guida turistike, me avion, me autobusë apo me makinat e tyre personale. Kur vijnë me makinat e tyre personale dhe gdhihen këtu në qytet ose qëndrojnë të paktën 24 orë këtu do kenë kohë të bëjnë një shikim të përgjithshëm dhe pastaj të vendosin se çfarë do të marrin. Ndërsa ato që vijnë me avion dhe janë të kufizuar me peshën kuptohet që do të marrin diçka të vogël dhe ne mundohemi që disa nga produktet t’i bëjmë në formë seti, nga dy madhësi e lart që të kenë mundësi edhe sipas xhepit të tyre, por edhe sipas mundësisë së transportit që t’i lehtësojë. Kam marrë pjesë në një panair këtu në Gjirokastër, panairin e 11 mos gaboj, që pa frikë mund ta quaj edhe ndërkombëtar pasi vijnë dhe nga shtetet e tjera apo në ekspozita të tjera të ndryshme që organizohen në Tiranë”, thotë ai.
Më tej ai komenton edhe vështirësitë që ka hasur në punën e tij dhe nëse ka pasur përkrahjen e shtetit apo jo. “Dyqanin e kam me qira dhe të gjitha i përballojmë vetë, ndërsa shteti nuk na ndihmon fare edhe pse i paguajmë të gjitha taksat dhe detyrimet deri në një, por lehtësira nuk kemi parë. Unë punoj së bashku me bashkëshorten, biznesin e kemi familjar, ndërsa për ta trashëguar tek fëmijët është pak vështirë pasi edhe ata shohin vështirësitë tona dhe kështu janë detyruar të marrin rrugë tjetër apo drejtim tjetër. Qoftë dhe për hobi do të dëshiroja t’ja trashëgoja dikujt, pse jo. Çmimet e produkteve janë të ndryshme në varësi të punës që bëhet, në varësi të madhësisë, por mund të themi që shkojnë nga 200 lekë e lart. Gjithçka është nga krijimtaria jonë, nga duart tona. Nuk rriskojmë kot që të marrim një dyqan më të madh pasi edhe detyrimet janë më të mëdha”, u shpreh drugdhendësi Petridhi./standard