Sarandë, skafi merr flakë pas cigares që i riu hodhi në leckën me benzinë
Një pakujdesi e momentit, ka sjellë aktivizimin e një vatre zjarri dhe plagosjen e një personi në bordin e një skafi. Ngjarja është shënuar rreth 1 milje larg bregdetit të Borshit në Sarandë. Sipas policisë, tre pushues të rinj lundronin me një mjet ujor. Hiri i cigares që ishte duke konsumuar një prej personave që ndodheshin në bord, ka rënë aksidentalisht në një leckë të lagur me benzinë, duke aktivizuar një vatër zjarri.
Gjatë përpjekjeve për të shuar flakët, është djegur në disa pjesë të trupit njëri nga pushuesit, ndërsa dy të tjerët janë lënduar lehtësisht, raporton BW. Ka qenë fillimisht roja bregdetare që ka ndërhyrë e më pas edhe policia kufitare, duke arritur të neutralizojnë zjarrin e të tërheqin skafin drejt bregut të detit. Mësohet se i plagosuri është dërguar në spitalin e Himarës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.