Së shpejti do vendosen targat me çip
Ndërsa këto ditë është diskutuar shumë për një sërë masash që do të merren me ndryshimin e Kodit Rrugor, siç janë rritja e gjobave apo pajisja e drejtuesve të automjeteve me kutinë e ndihmës së shpejtë, para pak minutash ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, deklaroi në emisionin “Opinion” se do të aplikohen edhe targat me çip.
“Vendosja e targave me çip në mënyrë automatike tregon se cili automjet ka bërë tejkalim shpëjtësie, parakalim të gabuar apo ndonjë shkelje tjetër. Gjithashtu do të japë në kohë reale një set të tërë të dhënash mbi automjetin, siç janë gjendja e tij teknike, kolaudimi, siguracioni etj. Po kështu këto targa transmetojnë të dhëna edhe për drejtuesin e mjetit, për të kaluarën e tij, precedentët e mëparshëm në sjelljen në rrugë, për CV-në e tij si shofer”, -tha Haxhinasto.
Sipas ministrit këtë vit ka një ulje të ndjeshme të numrit të aksidenteve dhe masat që do të merren këtej e tutje, pritet ta ulin edhe më tej këtë numër.