Sërish klandestinë nga Siria, ndalen nga policia kufitare e Kakavijës
September 12, 2014
“Muzina” quhej operacioni i policisë kufitare të Kakavijës, gjatë të cilit u ndalën 9 shtetas sirianë. Klandestinët kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar nëpërmjet kufirit me Greqinë, ndërkohë që kishin si destinacion Malin e Zi. Ata janë pikasur nga policia në kodrat e fshatit Muzinë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Pas procedurave të rastit janë dorëzuar sërish te autoritetet greke.
Një ditë më parë policia ndali 7 shtetas të tjerë sirianë pranë fshatit Vrisera. Pas nisjes së konfliktit në Siri në vitin 2011, është rritur numri i personave që hyjnë ilegalisht në vendet europiane. Fillimisht ata kalojnë kufirin turk, më pas hyjnë në Greqi, mbërrijnë në Shqipëri dhe kanë si destinacion vendet perëndimore.