SHBA, 99 vjet burg shqiptarit, masakroi gruan me kaçavidë
Një gjykatë në Denton të SHBA-së ka dënuar një shtetas shqiptar me 99 vjet burg, pasi masakroi për vdekje bashkëshorten e tij.
Ngjarja e rëndë u regjistrua me 7 dhjetor të vitit 2011, në apartamentin e çiftit në Denton të Teksasit.
47-vjeçari Petrit Diko nga Pogradeci kishte shkuar në SHBA sëbashku me bashkëshorten e tij Mimoza dhe dy djemtë përmes Lotarisë Amerikane, të cilën e kishin fituar në 2008.
Diko e qëlloi të paktën 39 herë gruan duke përdorur një pjesë metali të krevatit, kaçavidë, thikë, gërshërë dhe dërrasë. Nga goditjet, Mimoza u gjet e shtrirë në dysheme e mbytur në gjak.
44-vjeçarja ka bërë shumë zhurmë, por ajo e ka pasur të pamundur të marrë frymë për shkak të gjakut që i dilte nga plagët e rënda në kokë. Policia tha se në trupin e saj u gjetën vrima në kokë, duar dhe bark.
Prokurorët e çështjes thonë se 47-vjeçari ndërmori një veprim të tillë për shkak se ishte i zemëruar nga humbja e kontrollit mbi gruan e tij, që prej kohës që ata kishin shkuar në SHBA. Ajo fliste dhe anglisht më mirë se sa ai dhe kjo besohet të ishte një arsye.
Por avokatët mbrojtës kundërshtuan një fakt të tillë. Sipas tyre Diko nuk ishte vetëm xheloz se gruaja e tij fliste më mirë anglisht, por kemi të bëjmë me një krim pasioni, pasi ajo mësohet ti ketë thënë të burrit “budalla” dhe se dy djemtë e tyre nuk ishin në të vërtetë të tij, por të vëllait. Asnjë prej dy djemve të tyre nuk ndodhej në shtëpi në momentin e krimit.
Një nga avokatët tha se, krimi ka ardhur edhe për shkak të ndryshimit të vendit, pasi në Amerikë femrat kanë barazi me meshkujt, ndërsa në Shqipëri ata jetonin në një shoqëri patriarkale.
Vetë Diko tha se, ishte në gjendje të tronditur dhe se nuk mund të kujtonte asgjë nga ajo se çfarë kishte ndodhur më 7 dhjetor 2011-të. Gjëja e fundit që ai mund të rikujtonte ishte se pak para sherrit kishte një kaçavidë në dorë për të rregulluar diçka dhe më pas e kaploi zemërimi dhe iu errësuan sytë.
Ai pretendon se është përpjekur t’i shpëtojë jetën bashkëshortes pasi pa që ajo nuk po reagonte më. Diko thotë se i ka bërë një dush të ftohtë asaj dhe më pas ka tentuar t’i bëjë frymëmarrje artificiale, por më kot.
Por, policia e ka gjetur atë me rroba me gjak dhe kjo sipas tyre është provë që 47-vjeçari nuk është përpjekur aspak për t’i shpëtuar jetën bashkëshortes.
Tashmë, Petrit Diko do të kryejë një dënim prej 30 vitesh dhe më pas do të ketë të drejtë të kërkojë liri me kusht. Diko nuk do të lejohet të qëndrojë në SHBA, pavarësisht se jeton legalisht.