Shënimet e Musine Kokalarit
Një vit ndenja e izoluar natë e ditë në errësirë. Rastësisht gjeta një gazetë në nevojtore dhe mora vesh divergjencat me jugosllavët. Qe bërë plenumi i tetë dhe më kërkuan të mbroja tezat shkurtimisht të Social-Demokrates.
Në shtator 1948 më shpunë në burg. Gjeta dokumenta të gjyqit special dhe u habita se më kishin akuzuar (nga druri). Tregova që nuk i njihja fare. Atëherë m’u kujtua fjala që tha një oficer: “Sikur të besonim ato që kanë folur për ty, ti do të vareshe të pakten tre herë”.
Në gusht 1949, qe kryetar dege Halim Xhelua. Më derguan me Erifilin bashkë në burgun e Burrelit. Qe koha e provokacioneve. Atje ndenja dy vjet e gjysmë.
Më 1952 më prunë në punëtorinë qendrore, qepja me maqinë.
Më 1957 erdhi për kontroll gjeneral Xhule Ciraku dhe Sabri Sevrani. Unë i isha drejtuar Komitetit Qendror për rishqyrtimin e çështjes sime dhe s’mora kurrë një përgjigje. Me këtë rast, kur pyetën me radhë , unë thashë se ç’është arsyeja që s’kam patur një përgjigje nga Komiteti Qendror sipas rregullave.
– Si je sjellur?– më pyeti gjenerali.
– Korrekt, -thashë unë.
I bëri përshtypje. Shkuan shumë veta për të biseduar në zyrë. Këta më thirrën dhe mua. Sabri Sevrani më thotë:
– Kur ngjet ndonjë gjë e papëlqyer në burg, i drejtojesh drejtorëve?
– Ajo s’është puna ime, – i thashë unë dhe kështu u kacafitëm me të dhe me gjeneralin.
Koha përputhej me kundër revolucionin e Hungarisë.
Hoqën gjashtë burra, hoqën dhe gjashtë gra, midis tyre dhe mua. Erdhi gjenerali për vizitë, më tundi kokën dhe deshi të më thoshte, ja se ç’i punuat vetes. E pagove. Një vit punuam në fermë. Pastaj na derguan në burgun e Shkodrës. Aty erdhi Beqir Balluku. Më kërkoi me shokun dhe më njohu:
–Si vete social-demokrate? – me pyeti.
–Unë jam një njeri që kam humbur të drejtat civile– përgjegja.
–Përndryshe do ishe përgjegjur?
–Patjetër, i thashë. Atë që e keni dënuar me ligj, nuk ju takon ta pyesni.
–Moj, po Musine Kokalari do vrarë, – u hodh kryetari i Degës, Hilmi Seiti.
–Po kush të ndaloi, -i thashe unë. Vetë e ke në dore Pushtetin.
…
Fragmente nga shënimet e Musine Kokalarit te publikuara në librin “Si lindi Partia Social-Demokrate”.
Më poshtë kërkesa e saj për lirimin me kusht në mbështetje të ligjeve në fuqi dhe vendimi për mospranimin e kërkesës. Publikuar nga Muzeu Kokalari.