‘Sherri’ për Kishën e Labovës, IMK sqaron Janullatosin: Mesha katolike ishte rastësi, Ministria e Kulturës nuk kishte dijeni
Një ditë pasi Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë reagoi ashpër ndaj Institutit të Monumenteve të Kulturës lidhur me meshën e priftërinjve katolikë nga Italia në Kishën e Shën Marias në Labovën e Kryqit, vjen edhe reagimi i IMK.
Në deklarëtn e shpërndarë për mediat, Instituti i Monumenteve të Kulturës shpreh keqardhje për atë që e quan keqkuptim të panevojshëm dhe sqaron ngjarjen e ndodhur 3 ditë më parë në Labovën e Kryqit.
Më poshtë deklarata e plotë e IMK.
Instituti i Monumenteve të Kulturës sqaron opinionin publik dhe autoritetet e nderuara të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë lidhur me deklaratën e saj të djeshme për Kishën e Labovës së Kryqit.
Në datë 19 tetor 2017, nga ana e IMK u organizua një inspektim i punimeve restauruese në kishën e Labovës së Kryqit, me praninë e drejtores së këtij instituti dhe ekspertëve restauratorë për të kryer një konsultë mbi problematikën konstruktive të monumentit.
Kjo vizitë u pasqyrua në faqen sociale të Institutit të Monumenteve ku gjenden të botuara disa foto nga ky inspektim.
Gjatë këtij inspektimi, në oborrin e kishës u vu re se po zhvillohej një meshë lutjesh lehtësimi për një grup personash me probleme të ndryshme shëndetësore dhe turistësh italianë. Vizita e turistëve dhe inspektimi i inxhinierëve kanë qenë krejt pa lidhje me njeri-tjetrin dhe thjesht një rastësi e çastit.
Theksojmë se Ministria e Kulturës nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një aktiviteti të tillë.
Kjo kishë dhe shumë kisha të tjera me vlera kulturore, janë rregullisht destinacione të turistëve dhe vizitorëve nga më të ndryshmit. Ministria e Kulturës kujdeset për ruajten e objekteve te kultit si trashëgimi kulturore, për restaurimin dhe promovimin e tyre, por ato përdoren nga banorët dhe prifti i zonës për shërbesat e tyre si dhe vizitohen lirshëm nga turistë vendas dhe të huaj.
Shprehim keqardhjen për këtë keqkuptim të panevojshëm ndonëse institucionet shtetërore nuk kishin dijeni për të.
Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i konfirmojnë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë respektin maksimal dhe vullnetin për të thelluar bashkëpunimin e frytshëm mes institucioneve tona për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore dhe për ruajtjen e harmonisë fetare në territorin shqiptar.