Shkrimi “i panjohur” i Kadaresë: Ç’më ndodhi më 29 prill 1994

kadare1Revista franceze “Le Nou vel Observateur” shumë kohë përpara se të vinte dita e 29 prillit 1994, iu ishte drejtuar rreth njëqind shkrimtarëve botërorë si Gabriel Garcia Marquez, Vaslav Havel, Günter Grass, Umberto Ecco, Milan Kundera, Salman Ruzhdie, José Saramago, Norman Mailler, Vargas Llosa, Octavio Paz etj., midis tyre edhe Ismail Kadaresë, për ta përshkruar se çfarë u kishte ndodhur atë ditë. 

Kadare, ishte në Tiranë atë ditë dhe rrëfen ditën e tij nga mëngjesi deri në darkë, prej lajmeve e zhvillimeve të ditës e deri tek bisedat nën zë, për shërbime sekrete e ngjarje që mund të ndodhnin e që koha tregoi se nuk ndodhën. Lexuesit shqiptarë e mësuan se si Kadare e kishte përshkruar këtë ditë, pasi Helena Kadare botoi kujtimet e saj. Më poshtë, teksti i plotë i rrëfyer prej shkrimtarit. 

Nga Ismail Kadare 
DITA E 29 PRILLIT 
“Ngaqë ka disa javë që ndodhem në Shqipëri, dita e 29 prillit, ashtu si të gjitha ditët e tjera, për shkak të dendësisë së ngjarjeve, ngjan si e pazakonshme. Duket sikur, sipas teknologjisë së krijimit letrar, e kam pasuruar atë, ashtu siç pasurohet minerali: Prej ngjarjeve të ditëve të tjera. Në të vërtetë, s’ka kurrfarë pasurimi dhe jam i sigurt se në qoftë se miqtë e të njohurit e mi të Tiranës do t’u bjerë rasti t’i lexojnë këto shënime, do t’i gjejnë ato disi të kursyera. 

Qysh se pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Paris, sa herë vij në Tiranë ditët janë ashtu siç thashë më lart. Secila prej tyre ka brenda saj dy-tri ditë, nganjëherë një javë të tërë. Më parë kjo më ndodhte kur nga Tirana vija në Paris, me ditën time pariziane. Tani ndodh e kundërta. Pas mëngjesit, shkoj në dhomën time të punës, për të përfunduar një tregim që po e shkruaj këtu. Është hera e parë që po provoj të punoj në Shqipëri qysh nga viti 1990. Në udhëtimet e tjera s’kam pasur asnjë mundësi të ulem për të shkruar. Këtë herë më duket se po e kapërcej të pamundurën. Miqtë e mi e dinë ç’bëj dhe nuk më shqetësojnë përpara mesditës. Të panjohurit, që zakonisht trokasin gjithë ditën te dera e apartamentit, i presin njerëzit e shtëpisë. 

Tregimi quhet “Kisha e Shën Sofisë” dhe tregon për kthimin e ngrehinës së famshme të Kostandinopolit nga kishë në xhami. Mendoj se është një shqetësim universal i kohës sonë: Strehimi i dy feve më të mëdha të botës në të njëjtën ndërtesë. 

Tregimin ia kam premtuar gazetës letrare ‘Drita’. Meqenëse sa herë që shkruaja diçka, gjëja e parë që më shkonte ndër mend përpara botimit ishte interpretimi që do t’i bënte shteti, domethënë zyrat e partisë komuniste dhe të policisë së fshehtë, ky refleks më ka mbetur ende. Por këtë herë kam arsye. Së paku, katër institucione në Tiranë mendoj se do të merren, ndoshta, me zbërthimin simbolik të tregimit: Kryepeshkopata ortodokse shqiptare, kryesia e fesë myslimane dhe dy ambasadat: E Greqisë dhe e Turqisë, vende me të cilat ka lidhje kisha e famshme. Të gjitha këto institucione do të përpiqen të gjejnë ndonjë mesazh në këtë tregim, ndonjë qëndrim të autorit lidhur me njërën fe, në raport me tjetrën, ndonjë shenjë që shkon më larg, të qëndrimit të Shqipërisë ndaj Europës, për shembull, ose të polemikave në parlament, lidhur me drejtpeshimin e të tria feve në Shqipëri (katolike, myslimane, ortodokse) ose që shkon edhe më larg, si te çështja e peshkopit grek Janullatos, që është sot kryepeshkopi i Shqipërisë, te marrëdhëniet e acaruara greko-turke, ose te konflikti në Bosnjë etj. Jam i sigurt se sa më shumë të zhbirojnë, aq më fort do të ngatërrohen, sepse në qoftë se ka një gjë që unë s’e kam menduar fare, janë pikërisht këto dhe se ky tregim është letërsi dhe asgjë tjetër. 

Jam i gëzuar që po e mbaroj tregimin, kjo më jep ndjesinë e një oguri të mirë. Në orën njëmbëdhjetë e gjysmë një miku im më propozon të shkojmë të pimë një kafe në breg të detit në Durrës, që është veç 30 km larg. 

Nisemi së bashku me gratë. Ndërsa kalojmë përmes Tiranës, përpiqem të lexoj tabelat e kafeneve, të restoranteve e të diskotekave që sapo janë hapur. Emrat janë nga më të çuditshmit: Giocconda, Strauss, Café de Paris. Emra pronarësh pa fund. Qyteti ndërron fytyrë çdo ditë. Makinat ecin në mënyrë disi të çrregullt. Lavdi Zotit, semaforët punojnë. Ja dhe embouteillage! Për mua kjo është një kureshti e madhe. Embouteillage në Tiranë! Tingëllon gati e pabesueshme për vendin ku veturat private ishin praktikisht të ndaluara. Nuk ekziston as fjala për këtë dukuri. Të shohim si do të vendosë akademia: Shtupim, plumbosje, bllokim. Zgjat kryet për të parë: embouteillage i vërtetë, në të dyja anët e rrugës, që zgjat rreth 200 metra. Në Durrës shkojmë të pimë një kafe në bregdet në zonën e ndaluar, ku pushonin udhëheqësit komunistë. Vilat janë aty, njëra pas tjetrës: Dy vilat e diktatorit, vilat e anëtarëve të Byrosë Politike, banesat e rojave. Në hyrjet e një pjese të tyre janë tani tabela të shkruara në gjuhë të ndryshme: Oil Company, Banque Mondiale, ADA AIR. Megjithatë, njerëzit i quajnë vilat ende me emrat e ish udhëheqësve: Vila e Palit. E Lenkës. 

E kryeministrit (ky ka dymbëdhjetë vjet që tretet në tokë, i vrarë në mënyrë misterioze). Nuk e di ç’ndodh në vendet e tjera të ish Lindjes, por, me sa duket, në Shqipëri emrat e ish udhëheqësve që janë shkulur nga historia, që kujtohen vetëm me urrejtje, së shumti me tallje, vazhdojnë të jetojnë vetëm të ngjitur pas vilave të pushimit. Analistët do ta shpjegojnë ndoshta një ditë këtë. Ndoshta, shkëputja nga vilat e pushimit ka qenë për shpirtrat e tyre vuajtja më e madhe. Kur kthehemi në shtëpi, ajo, si zakonisht, është plot me njerëz. Njerëzit rrinë në dhomën e pritjes. Pinë kafe dhe bisedojnë si në kafene. Një pjesë janë miq e të njohur. Të tjerët, të panjohur. Ka një parti dhe rryma të ndryshme politike dhe, kuptohet, që shumica e bisedave janë politike. Në përgjithësi njerëzit janë pasionantë, nervozë dhe shpesh fillojnë të grinden me njëri-tjetrin. 
Në disa minuta marr vesh të rejat e fundit: Vazhdon acarimi me Greqinë, për shkak të një vrasjeje të shëmtuar afër kufirit. Pëshpërima të ndryshme lidhur me daljen në gjyq së shpejti të ish presidentit Alia. Një aktore e Teatrit Kombëtar është kthyer e zhgënjyer nga jashtë shtetit dhe ka botuar një intervistë, që s’është pritur mirë nga ata që shpresojnë të gjejnë punë në Perëndim. 

Drejtori i një gazete të pavarur, Dita informacion më pëshpërit se ka diçka për të njoftuar. Hiqemi pak mënjanë dhe më thotë se ka një informacion se shërbimi i fshehtë grek dëshiron të vrasë peshkopin grek Janullatos në Tiranë, për të shkaktuar luftë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk e besoj fare, ai ngul këmbë. Është i zbehtë në fytyrë nga kjo dhe mendon që nesër ta shpallë në gazetë. S’di ç’t’i them. Ndërsa me vete mendoj se proverbi “ditë e re, fat i ri”, tani është zëvendësuar me “ditë e re, skandal i ri”. 

E shoqja e përkthyesit tim, Jusuf Vrionit, i telefonon time shoqeje për t’i thënë se për herë të parë pas tridhjetë vjetësh që janë martuar, Jusuf Vrioni, i shquar për elegancë dhe sqimë, nuk është rruar në mëngjes, për shkakun tim. Domethënë, kaq shumë është i ngarkuar me përkthimet që Fayard ia kërkon me ngut, saqë ka lënë pas dore edhe atë gjë që nuk e ka lënë as në kohën kur ndodhej në burg. 
Pasdite shkëputem një çast nga bujtësit për të shkuar në sheshin ‘Skënderbé’, sepse dua të shikoj me sytë e mi këmbimin e monedhës. Pranë Bankës së Shtetit, banka të vogla private, madje individë, bëjnë operacione financiare të ngatërruara. Rrugës për në shtëpi takoj përkthyesin e vjetër të Balzakut, Enver Ficon. Kemi punuar të dy për shumë vjet së bashku në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ka ruajtur zakonet e finesën e intelektualëve gjirokastritë. “Ç’qe kjo që ndodhi, more Ismail, më thotë. Kaq i keq na doli ky Enver Hoxha, adashi im?” “E pra”, i përgjigjem. Ai tund kryet: “Ç’është e vërteta, ca shenja i kishte dhënë që atëherë kur kemi qenë bashkë në gjimnaz. Mbaj mend, më kërkoi për ta lexuar ‘Dashnori’ i Lady Chatterley dhe nuk ma ktheu më”. 

Dita vazhdon kështu e ngjeshur si dhe ditët e tjera të javës. Në orën 20 shikoj lajmet, ngaqë pas dyzet vjetësh propagande komuniste ende kam etje për të dëgjuar në gjuhën e vendit tim lajme të formuluara ndryshe. 

Në orën 20.15 troket te dera një i çmendur, i cili dëshiron të bisedojë me mua për çështjet e universit. Në orën 20.30 jemi të ftuar për darkë tek ambasadori gjerman. Në kohën që po nisemi më merr në telefon drejtori i gazetës Dita informacion për të më thënë se dyshimi lidhur me vrasjen e peshkopit greko-shqiptar është i vërtetë, madje ai i ka çuar fjalë ndërkaq peshkopit, i cili qenka përgjigjur se nuk është hera e parë që dëgjon paralajmërime ogurzeza dhe se ai është gati të shkojë te Zoti, kur ai ta kërkojë…Them me vete: Edhe kjo i duhet sot Gadishullit Ballkanik: Vrasja e një peshkopi grek në tokën shqiptare. 
Tiranë, 1994″