Shokuese! Pamela e vogël vdes nga i ftohti në kontejnier
1 muaj pas apelit për ndihmë të dhënë në Ora News nga familja Jahja në Mal Bardhë të Kurbinit, vajza 7-vjeçare e kësaj familje ka ndërruar jetë, pasi nuk mundi që ti mbijetojë ftohtit të këtij dimri.
Pamela Jahja ka gjetur vdekjen në Pediatrinë e Tiranës 2 javë më parë, si pasojë e pneumonisë.
Kushtet e vështira të jetesës në një shtëpi thuajse të shkatërruar plotësisht, ku jetonin pjestarët e kësaj familje, ka bërë që ajo të marrë ftohje të shkallës së lartë duke mos mundur që të shpëtojë.
Në banesën gjysëm të shkatërruar të familjes tashmë ka pllakosur zija, ndërsa nëna e vajzës nga mërzia për humbjen e vajzës ka refuzuar edhe praninë e medias.
Babai i 7-vjeçares të mitur, Sadik Jahja, mes lotësh në sy tregon ngjarjen, ndërsa ka dyshime se nuk i është dhënë ndihma e duhur në Spitalin e Laçit, për të cilin thotë ai i është drejtuar edhe Prokurorisë për të nisur hetimet.
“I hipi temperatura, si tip gripi. Me 25, ditën e dielë e dërguam në Spitalin e Laçit. Atje unë e çova bashkë me gruan dhe kunatën për ta shëruar. Ata i vunë serum. Pasi i vunë serum nuk pati përmirësim, e kanë mbajtur 4-5 orë. Kur u bë tepër e sëmurë, me ilaçe jo të rregullta, e nisën për Lezhë. I kam bërë apel Prokurorisë, është në ndjekje e sipër. Dje e kam mbyllur hesapin e fundit. Do ta ndjekin penalisht”.
Sadiku thotë se i ka kërkuar disa herë pushtetit vendor dhe qëndror që t’i gjendet një strehim, duke e paralajmëruar në këtë mënyrë edhe tragjedinë, por askush nuk ka marrë asnjë masë.
“Ku është rritur ajo vajzë dhe ku ka marrë plavitjen. Asnjë lloj ndihme nuk më ka dhënë askush. Kam kërkuar boll. I kam bërë apel ministrit, Erion Veliaj, por nuk më ka dhënë ndihmën e duhur”.
3 pjestarët e familjes jetojnë sërish në një banesë të shkatërruar, ndërsa edhe pas vdekjes së vajzës askush nuk iu ka ardhur në ndihmë për t’iu gjetur një strehim.
Familja e 62- vjeçarit jeton prej tetë vitesh në një kontejnier.
Jahja kishte dy fëmijë të mitur, tani i ka mbetur një.