Shpella e Skotinisë dhe liqeni nëntokësor, mrekullitë natyrore që s’kanë promovim
Një atraksion turistik për rajonin e Gjirokastrës, është padiskutim shpella e Skotinisë dhe sidomos liqeni me ujë të kthjellët që gjendet nën këtë shpellë. Ky liqen u zbulua rreth 5 vjet më parë nga një grup eksploratorësh italianë të mbështetur edhe nga dy zhytës shqiptarë. Konkretisht Mario Mazzoli, Marko Viteli, Bernardino Rochi, si dhe Igli Pustina e Arjan Gace. Ata u zhytën rreth 55 metra thellë në zgavrën e thellë të Skotinisë, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Vanistër, Dropull.
Për eksplorimin e saj, zhytësit asokohe hynë fillimisht në pjesën e parë të shpellës , pikërisht aty ku në vitet e komunizmit ishte vendosur platforma e veprës së marrjes së ujit për tokat e fushës së Dropullit. Më pas, nëpërmjet një kanali ata kanë mundur të depërtojnë në një pjesë të brendshme, që sipas tyre ishte një mrekulli e pafundme. Mendohet se liqeni nëntokësor i Skotinisë është rreth 200 metra i thellë, ndërsa zhytësit me mjetet që kishin arritën të uleshin deri në 55 metra.
Edhe pse këtij atraksioni turistik i mungon promovimi, përfshirja në guida si destinacion i rëndësishëm në jug të vendit, jo pak të huaj marrin rrugën për në Vanistër që të shohin nga afër shpellën e Skotinisë dhe liqenin nëntokësor me ujë të kulluar. Banorët e fshatit thonë se ky liqen ka lidhje me atë të Viroit në Gjirokastër dhe me Syrin e Kaltër. Shpella e Skotinisë dhe liqeni nëntokësor në të, është një mrekulli e natyrës, ndërkohë që ka shumë gojëdhëna për të. Ato më së shumti lidhen me mbytjen e një gruaje, trupi i të cilës doli më pas në Virua. Sidoqoftë, sot ky vend ka nevojë për më shumë vëmendje, për më shumë promovim në mënyrë që të thithë sa më shumë vizitorë.