Shpopullimi dhe varfëria, Berisha: Në Libohovë nga 50 kompani ndërtimi sot nuk ekziston asnjë

 

Pas turit të tij në jug të vendit, kryetari demokrat, Sali Berisha tha në një konferencë për shtyp se situata në këtë zonë të vendit është dramatike. Sipas tij, shpopullimi është një plagë shumë e rëndë.

“Në të gjitha këto takime, kthehem më i motivuar se kurrë, në përpjekjen tonë për të shpëtuar Gjirokastrën dhe Shqipërinë nga regjimi absolutist i Edi Ramës. Unë me përgjegjësi të plotë mund t’u them shqiptarëve, se jugu i Shqipërisë ndodhej në situatën më dramatike, se shpopullimi i Gjirokastrës dhe jugut është i paimagjinueshëm. Se rrënimi ekonomik si shkak kryesor i këtij shpopullimi, tejkalon të gjitha përmasat. E kam menduar disa herë në udhëtimin tim, mund ta vlerësoj si udhëtimin në katakombet e biznesit të jugut. Do u jap vetëm një shembull: në Libohovë nga 50 kompani ndërtimi në vitin 2013, nuk kishte asnjë sot,” tha Berisha.

“Një politikë jashtëzakonisht perfide për shpopullimin e kësaj zone ndiqet nga qeveria. Largimi i të gjitha institucioneve nga Gjirokastra, kishte boshatisur si qendër administrative si kurrë në ekzistencën e saj në shekuj.

Nuk më hiqet nga mendja një nënë pensioniste që më thotë: i thuaj Edi Ramës, si mund të shkoj unë në Tiranë për një certifikatë me pensionin që kam. Nuk udhëtoj dot, se rruga më kërkon aq para se marr unë pension. Dhe unë mbetem pa shërbim, pa certifikatë.

Kjo gjendje shprehej në mënyrë të dhimbshme në universitetin e Gjirokastrës. Nga një qendër e fuqishme rajonale, sot atje dominonte mungesa masive e studentëve dhe boshatisja e universitetit. Në një farë mënyre, të gjitha masat e kësaj qeverie çonin në vdekjen e një qyteti, që sot qëndron në kurorën e trashëgimisë kulturore botërore,” theksoi Berisha.