Shqipëria përgatitet për refugjatët sirianë, kamp në Gjirokastër dhe Korçë
Autoritetet shqiptare po përgatiten për të strehuar refugjatët sirianë. Në Korçë është përcaktuar vendi se ku do të mbahen ata, ish-reparti ushtarak në Kapshticë. Gjithashtu edhe në Gjirokastër është diskutuar që fusha e aerodromit të kthehet në kamp me çadra, po ashtu dhe fushë-pushimi që ndodhet brenda territorit të ish-Brigadës së Këmbësorisë së Forcave të Armatosura në Gërhot Kapaciteti pritës i këtyre dy hapësirave është 10 mijë persona.
Deri tani, emigrantët sirianë që kanë kaluar nga Ballkanit për në Evropën Perëndimore e kanë devijuar Shqipërinë. Por, me ardhjen e dimrit pritet që Shqipëria të kthehet në një “shteg” për të shmangur temperaturat e ulëta. Hipotezën që Shqipëri-Itali mund të kthehet në një itinerar e konfirmojnë dhe zyrtarë të BE-së duke folur për “Reuters”. Gjithashtu, me kërcënimin që disa vende të Ballkanit mund të mbyllin kufijtë, Shqipëria mund të kthehet në një vend strehimi për refugjatët nga Siria.
Në minisamitin e thirrur nga presidenti i KE-së, Juncker dhe kancelarja gjermane, Merkel për të diskutuar për krizën e refugjatëve, kryeministri, Edi Rama tha se “Shqipëria ka detyrimet e saj në këtë moment kaq delikat.”