Shqiptarët, drejt plakjes prej ekonomisë
Shqiptarët, jo vetëm që nuk do të renditen më si një ndër vendet me popullsinë më të re, por rrezikon që të përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe sociale, nëse nuk merren masa afatgjata.
Ekspertë të ekonomisë dhe të sociologjisë tregojnë se vijon emigrimi i lartë i popullsisë në moshë pune, lindshmëria është e ulët, jetëgjatësia është rritur, të gjitha këto kanë bërë që Shqipëria të ecë me ritme të larta drejt popujve, që moshën mesatare të popullsisë e kanë 40 vjeç.
“Nëse do të shikojmë piramidën moshore të vitit 2011, do të shikojmë që kemi një mungesë të grupmoshës 35-55 vjeç. Kjo tregon që një pjesë e madhe e kësaj grupmoshe kanë emigruar jashtë vendit. Sot Europa ka një moshë mesatare prej 42 vjeç, ndërsa ne parashikohet që t’i afrohemi kësaj moshe mesatare rreth vitit 2032”, tha Mirela Muça, eksperte e çështjeve sociale.
Statistikat tregojnë se numri i fëmijëve të moshës nën 15 vjeç, nga viti 1989 deri në 2011 është përgjysmuar.
“Në 1989-n ne kemi pasur 1 milion fëmijë të moshës nën 15 vjeç, ndërsa në 2011-n kemi 575 mijë të tillë. Vërehet që trendi i kësaj grupmoshe vjen duke u ulur me një shpejtësi shumë të madhe. Është shtuar numri i çifteve pa fëmijë. Së dyti është rritur mosha e grave për lindshmërinë e parë në mënyrë domethënëse. Të gjitha këto ndikojnë në nivelin e lindshmërisë”, tha më tej Mirela Muça.
Plakja e popullsisë do të thotë kosto më të larta në shëndetësi, por edhe në shërbime sociale, të cilat në vendin tonë janë në nivele fare të ulëta. / TCH/