Shtëpia e Eqrem Çabejt, në rrezik shembjeje
Banesa e gurtë e gjuhëtarit Eqrem Çabej në qytetin e Gjirokastrës rrezikon shembjen. Shirat e rrëmbyeshëm të këtij dimri kanë rikthyer problematikën e rrezikut të shkatërrimit të banesës, e cila ndodhet në lagjen “Mecite”.
Sipas specialistëve restauratorë, aktualisht kjo banesë e kategorisë I paraqet problem në strukturën e mureve të gurta, ku ka pësuar çarje dhe plasaritje të shumta. “Më e prekur është pjesa veriore e shtëpisë, e cila paraqet problem jo vetëm në murin mbajtës, por edhe në strukturat e brendshme të shtëpisë, amortizim të tavaneve të drunjta dhe dekoracioneve të ndryshme në gur”, shprehet për gazetën “Panorama” Kreshnik Merxhani, shef i sektorit teknik në Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër.
Sipas tij, nëse nuk do të ndërhyhet në kohë, banesa rrezikon shembjen e një pjese të saj. “Ne kemi akorduar një fond për mirëmbajtjen e kësaj pjese të shtëpisë, por ai është i vogël kra hasuar me nevojat që ka banesa për restaurim”, shprehet Merxhani. Megjithëse në vitin 2010 banesa e Çabejit u përfshi në një projekt restaurues, sërish ajo paraqet nevoja imediate për restaurim. Aktualisht banesa paraqitet gjysmë e rrënuar, ndërkohë që amortizimi dhe lagështia vazhdon të gërryejë muret e gurta.
“Banesa e Çabejit është një ndër banesat tipike gjirokastrite, e cila shquhet për larminë e objekteve të punuara në dru të skalitur dhe dru dekorativ”, shprehet Merxhani. Fasada e shtëpisë ka një formë të veçantë dhe një pjesë e saj është e ndërtuar me gur të skalitur. Sipas restauratorëve një ndër elementet më të veçanta është edhe porta kryesore e shtëpisë, e punuar me hark me gur të gdhendur. “Një pjesë e konsiderueshme e tavaneve dhe dyshemeve të dhomave të brendshme të shtëpisë janë të punuara me dru dekorativ, me motive floreale”, thotë tekniku restaurator, Kreshnik Merxhani.
Ndërtimi i banesës së gurtë të Çabejt daton në vitin 1866, ndërkohë që për rindërtimin e saj ka dy mbishkrime 1891, ndërsa në një të tretë më 1892. Në botimin e tij “Qyteti-muze i Gjirokastrës” studiuesi Emin Riza shkruan se “në gjendjen fillestare banesa ka qenë me dy oborre dhe me një ambient ndihmës përballë banesës në oborrin kryesor”. Në vitet 1891-1892, banesa ka pësuar një rikonstruksion të rëndësishëm, që ka konsistuar në shtesën e krahut të majtë me gjashtë ambiente, dy në secilin kat. Kjo shtesë është e lidhur për ndarjen e banesës në dy ambiente të veçanta. Sipas studiuesit Riza, në gjendjen e re porta origjinale i shërben pjesës së shtuar, në hapësirën ndërlidhëse të së cilës janë ndërtuar shkallë të reja.
Një portë e dytë e hapur gjatë rikonstruksionit i shërben pjesës origjinale. Pjesa e shtuar si pjesë origjinale funksionon si banesë më vete, ku ka oborrin e saj dhe daljen e veçantë në rrugë nëpërmjet portës karakteristike. Ambientet e shtuara në përgjithësi ruajnë skemën funksionale të zakonshme të banesës gjirokastrite, si dhe dekorin e pasur në dru, veçanërisht në tavane. Gjendja shumë e mirë e pjesës së shtuar më 1891-1892 bën që të shërbejë si një vepër e rëndësishme për zhvillimin e elementeve të ndryshme arkitektonike dhe konstruktivë në këto vite./panorama