Shtohen orët e Fizkulturës, nis “rekrutimi” i mësuesve
Viti shkollor 2014-2015 do të përfshijë në programin mësimor më tepër orë mësimi të Edukimit Fizik. Gjithçka u paralajmërua fillimisht nga kryeministri, Edi Rama, si një nevojë për shmangien e mbipeshës dhe obezitetit te fëmijët, ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur “rekrutimet” për mësuesit që do të duhet të japin këto orë mësimi. Përmes një njoftimi zyrtar, MAS shpreh nevojën për persona të diplomuar si Mësues të Edukimit Fizik, të cilët janë të interesuar për t’u punësuar.
“Në kuadrin e reformimit të programit mësimor, në sistemin parauniversitar, referuar shtimit të orëve të mësimit për edukimin fiziko-sportiv në vitin shkollor 2014-2015, Ministria e Arsimit dhe Sportit, fton të gjithë personat e diplomuar si Mësues të Edukimit fizik e që janë të interesuar të punësohen, të paraqesin pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale ose Zyrës Arsimore, që i përket zonës ku ata banojnë, kërkesën e tyre dhe dokumentacionin shoqërues. Procesi i përzgjedhjes do të bëhet në përputhje me nevojat konkrete që do të ketë çdo DAR dhe ZA, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftimin e MAS./Gsh