Shumëfishohen dyqanet “Duty Free” në kufi. Sa do të ketë në Kakavijë?

SDC12593Qeveria synon të zgjerojë gamën e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops), duke parashikuar mundësinë e krijimit të këtyre dyqaneve edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare.

Një projektligj i sugjeruar nga ministria e Financave ka mbërritur në Kuvend dhe së shpejti do të paraqitet për shqyrtim në komisionet parlamentare përkatëse.

Sipas ministrisë, zgjerimi i mundësisë për të pasur “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops) edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare, përveç atyre në aeroport, përputhet me nevojat e reja për ta zhvilluar këtë sektor, duke vlerësuar mundësinë e çeljes së aeroporteve të reja ose pikave të reja kufitare, detare, tokësore apo ajrore për qëllime turistike ose tregtare etj.
 Perparesite
Disa prej përparësive kryesore të dyqaneve “duty free shops” në pika kufitare dhe porte, krahas atyre në aeroporte, janë se blerjet që kryhen në territorin doganor të huaj mund të kryhen në territorin shqiptar. Kjo ndikon në mbajtjen e valutës së huaj në vend apo qarkullimin e monedhës brenda vendit, duke ndikuar në fuqinë e operatorëve ekonomikë që shërbejnë në pikat kutare, si dhe ndihmon ekonomitë lokale.

Po kështu, mendohet që të rritet në këtë mënyrë fuqia konkurruese e pikave kufitare, tokësore, aeroporteve dhe porteve shqiptare në krahasim me aeroportet dhe portet evropiane, ose ato fqinje, sipas rastit. Kjo mund të shoqërohet me kthimin e tyre në pika kyçe për destinacione të tjera dhe qendra tërheqëse për turistë. Është vërtetuar se turizmi pëson një rritje të madhe në vende ku mund të blesh mallra pa taksa, sidomos nëse  në këtë skemë përfshihen mallrat e luksit (orët, çantat, këpucët e markës etj.), theksojnë ekspertët e Financave, duke shtuar se imazhi i vendit përafrohet me atë të vendeve të zhvilluara, pasi dyqanet “duty free shops” janë dëshmi e zhvillimit tregtar dhe standardeve që zbatohen në atë vend.

Në rastin kur “duty free shops” mund të vendosen në dalje të pikës kufitare, përpara hyrjes në territorin shqiptar, avantazhet janë edhe më të mëdha, lidhur me praktikat e kontrollit të pikave kufitare, në rastin kur mund t’i blesh mallrat pa taksa në dalje. Mallrat e blera në mbërritje nuk do të kenë nevojë të kontrollohen nga strukturat e kontrollit të pikave kufitare.

Ndryshimi
Në pikën 4, të nenit 199, të Kodit Doganor ekzistues, parashikohet që “duty free shops” të hapen vetëm në aeroporte. Ndërkohë, në projektligjin e ri parashikohet që pika 4 të ndryshohet, si më poshtë vijon:“Ministri i Financave mund të autorizojë hapjen e “duty free shops”, (dyqane të çliruara nga taksat) në porte, aeroporte dhe pikat kufitare tokësore që ndodhen në zonën doganore të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, për shitjen e produkteve me përjashtim nga detyrimet e importit.

Formalitetet dhe procedurat që ndiqen në këto raste përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”. Në rast se miratohet, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare./shqiptarja.com