Si do shkruhen toponimet: Selanik do bëhet Thessaloniki, GRC
Ministria e Brendshme tregon me shembuj konkret si do shkruhen toponimet në rubrikën “vendlindja” në pasaportat e shqiptarëve që kanë lindur në Greqi.
Këto ndryshime priten të përfundojnë brenda muajit Tetor 2014. Vendlindja në certifikatën e lindjes do të shkruhet në anglisht dhe më pas do të shoqërohet me kodin e shtetit grek GRC.
Si ishte dhe si bëhet
Në certifikatën e lindjes vendlindja
Shkruhej: Selanik, Greqi
Bëhet: Thessaloniki, GRC
Në letërnjoftimin elektronik dhe pasaporta biometrike
Në pasaportë vendlindja
Shkruhej: Selanik, Greqi
Bëhet: GRC
Përmes njoftimit për shtyp ministria e Punëve të Brendshme informoi sot se ka nisur konkretizimin e ndryshimeve të parashikuara për mënyrën e shkrimit të toponimit në rubrikën “vendlindja” në dokumentet e lëshuara nga shërbimi i gjendjes civile për përdorim nga autoritetet e huaja, si dhe në sistemin e lëshimit të dokumentave të Identitetit.
Bëhet fjalë për zgjidhjen përfundimtare të problemit të toponimeve në letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike për shtetasit shqiptarë të lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
“Ka filluar puna për të realizuar ndryshimet e nevojshme në sistemet e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile dhe Dokumenteve të Identitetit, si dhe në dokumentet që lëshohen nga shërbimi i gjendjes civile (certifikatat për përdorim nga autoritetet e huaja), dhe Ministria e Punëve të Brendshme (letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike). Këto ndryshime priten të përfundojnë brenda muajit Tetor 2014.” Informon ministria e Brendshme përmes një njoftimi për shtyp./Dita