Si do të jetë Këshilli Bashkiak i Libohovës pas 21 qershorit
Në 21 qershor përveç votës për kreun e ri të bashkisë, qytetarët do të votojnë edhe për zgjedhjen e këshillit bashkiak. Libohova Online ka publikuar listat shumëemërore të tre partive kryesore; PD, PS dhe LSI. Secila prej tyre ka vendosur 15 emra, po aq sa është edhe numri i këshilltarëve të Këshillit të ri Bashkiak të Libohovës. Në fletën e votimit, nuk do të jenë emrat e kandidatëve, por në varësi të votave që merr secila parti do të përcaktohen edhe fituesit.
Se sa këshilltarë do të marrë secila parti, kjo do të shihet pas numërimit të votave. Emrat që në listë i kemi vendosur në fushë me ngjyrë, kanë realisht shanse të zgjidhen, pjesa tjetër është thjesht sa për numër. Megjithatë, vlen të analizohet mënyra e ndërtimit të këtyre listave, prej nga ku do të dalë pas 21 qershorit “parlamenti” i Libohovës.
Meqë ligji i detyron, partitë kanë përfshirë në lista edhe kandidate femra. Ky është një zhvillim i mirë dhe duhet përshëndetur. Nga ana tjetër, nëpër lista shikon edhe të rinj, por më së shumti ata gjenden nga vendet e fundit, që rrjedhimisht nuk fitojnë dot. Në vendet e para të listave ke njerëz që kanë qenë më përpara këshilltarë apo kanë mbajtur funksione të ndryshme në qeverisjen vendore. Përjashtim këtu bën LSI-ja, lista e të cilës kryesohet nga një i ri.
Sa i përket shkollimit apo profilit të tyre, ke nga ata të mirëshkolluarit e deri te ata pa shkollë fare. Megjithatë listat kanë edhe pjesën e tyre gazmore. Vëllai kandidon për PS-në, ndërsa motra për LSI-në. Edhe te lista e PD-së nuk mungojnë çuditë me lidhje familjare. Pyetja që shtrohet pasi shikon këtë listë është kjo: A do të jetë ky Këshill Bashkiak i Libohovës më i mirë se i kaluari?
S’do shumë mend përgjigjia kur shikon që janë njerëz, të cilët kanë qenë më parë në këto pozicione, janë provuar e stërprovuar. Do të ishte e udhës që me ndarjen e re territoriale Libohovës t’i jepej edhe një këshill bashkiak i ri, që do të merrte vendime i udhëhequr nga një mentalitet dhe vizion i ri. Kush më mirë se sa të rinjtë do të dinin ta bënin diçka të tillë, por drejtuesit e partive dhe ata që bëjnë lista nuk e njohin tërheqjen, as mënjanimin.
Vazhdojnë të riciklojnë të njëjtët njerëz dhe pastaj nëpër fushata dalin kërkojnë votën e të rinjve. Këtyre të fundit ua kanë nevojën për zgjedhje, por nuk u japin një mundësi promovimi, nuk u japin një shpresë për të qëndruar në Libohovë, për t’u ndjerë të dobishëm në vendin e tyre. Fare mirë pjesë e këtyre listave mund të ishin edhe njerëz që s’janë partiak, por kanë një profil apo ekspertizë të caktuar në Libohovë dhe prezenca e tyre në këshillin bashkiak do të ishte një vlerë e shtuar. Por prapë është e kuptueshme, partitë i duan njerëz tërësisht partiak që të çojnë dhe të ulin dorën sa herë u kërkohet.
Si përfundim ka diçka që të ngushëllon dhe deri diku na i zë të gjithëve gojën. Derisa ne kemi në parlament njerëz nën nivelin mesatar, që s’dinë as të shkruajnë e as të flasin, mbase është luks i tepërt të kërkojmë një këshill bashkiak të mirë.