Situata e rëndë nga Covid, mbyllet shkolla “Koto Hoxhi” në Gjirokastër
Mbyllet deri në një njoftim të dytë shkolla 9-vjeçare “Koto Hoxhi” në Gjirokastër.
Sipas njoftimit të dhënë nga drejtoria e shkollës shkak është situata e rëndë pandemike, që ka prekur një pjesë të mirë të mësueseve të shkollës, ndërsa një pjesë e mirë e nxënësve vijnë nga familje të prekura nga COVID-19. Mësimi do të zhvillohet online sipas orarit 8:00 – 13:30.
“Në shkollën tonë disa mësuese kanë rezultuar pozitiv me Covid 19 dhe një pjesë tjetër janë në pritje të përgjigjes, pasi kanë bërë tamponin. Në klasa, një numër i konsiderueshëm nxënësish vijnë nga familje, ku kanë familjarë pozitiv ndaj Covid 19.
Ditën e hënë, ambjentet e shkollës do të dezinfektohen. Për këto arsye, nga ana ime si drejtues i shkollës u kërkua zhvillimi i mësimit në distancë (online) duke filluar nga dita e hënë deri në një njoftim të dytë”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nxënësve të shkollës.
Situata në Gjirokastër është rënduar ditët e fundit, duke shënuar shifrën rekord të 30 të prekurve, ndërsa një pjesë e mirë e rasteve janë të paidentifikuara.