Skandal në Gjirokastër, oficeri i policisë gjyqësore dhunon avokaten brenda prokurorisë. Policia nuk sekuestron pamjet nga kamera e sigurisë (VIDEO)
Në Prokurorinë e Gjirokastrës s’kanë fund skandalet. Tre ditë më parë emisioni investigativ ‘Stop’ ka denoncuar dhunën e ushtruar ndaj avokates Orgesa Serani. Dhunuesi sipas saj është një oficer i policisë gjyqësore, i quajtur Martin Pali. Ky i fundit thotë ajo, e dhunoi pasi kjo shkoi t’i kërkonte informacion për një cështje që e ndjek avokatja. Martin Pali jo vetëm e dhunoi verbalisht, por edhe fizikisht shprehet avokatja Serani për emisionin ‘Stop’.
Ajo thotë, se ai shpesh është në gjendje të dehur në punë. Vetë Martin Pali e mohon të ketë ndodhur një incident i tillë, edhe pse avokatja u detyrua të merrte ndihmë mjekësore dhe injeksione në spitalin “Omer Nishani. Por skandali po sfumohet nga Policia e Gjirokastrës, e cila nuk ka sekuestruar pamjet filmike të kamerës së korridorit hyrës te Prokurorisë, ku duket sesi OPGJ Martin Pali, ka nxjerrë zvarrë avokaten Orgesa Serani .
‘Stop’ tregon vendodhjen e kamerës brenda në Prokurori dhe informon dhe SHCBA Gjirokastër, për të kontrolluar procedurën, që po ndjek Policia. Nga drejtuesi i saj u tha, se policia duhet të ndjekë me rigorozitet procedurat dhe duhet të sekuestrojë pamjet filmike, për të zbardhur këtë skandal në institucionin e prokurorisë./ Tv Klan