Skandali në Gjirokastër, të moshuarit nuk i jepet dëmshpërblimi që i takon/ Prokurori Julian Çafka deklaron ‘varfanjak’ biznesmenin që jep me qira prona (VIDEO)
Një 80 vjeçar po endet prej më shumë se 20 vitesh në dyert e institucioneve të drejtësisë, për të marrë dëmshpërblimin prej 6 milionë lekë të vjetra që i kanë caktuar vetë këto organe. Nelo Hatika denoncoi në emisionin investigativ se ka fituar disa vendime gjyqësore, të cilat detyrojnë një pronar të një fasonerie ti japë këtë shumë. Por, ai ka refuzuar disa herë, ndërsa ankuesi ka bërë denoncim edhe në prokurori për mashtrim dhe fshehje të ardhurash. Por, nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se ky person “nuk ka prona dhe llogari bankare”.
Gjykata ka urdhëruar dy herë që Kostandin Çaro, pronar i një fasonerie, të hetohet. Por, po dy herë prokuroria këmbëngul që “s’ka pasuri”. Aktualisht, dosja po hetohet për herë të tretë. Por, paradoksi qëndron se hetimet po ndiqen nga i njëjti prokuror, Julian Çafka, që është edhe drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës. Në një ballafaqim me denoncuesin, prokurori nuk jep dorëheqje, teksa thekson se “kemi mendime të ndryshme”. Ai i kërkon qytetarit që të marrë edhe këtë vendim (pushimi) dhe nëse ia kthen për herë të tretë gjykata do të japë dorëheqje!
Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Prokurorinë e Gjirokastrës dhe u interesuan, por prokurori nuk pranoi të jepte informacion, pasi “kishte dalë”. Edhe pas kërkesës për informacion, prokuroria nuk ka kthyer ende një përgjigje. Por, a ka pasuri apo biznes z.Kostandin Çaro? Denoncuesi thotë ka një fasoneri në Gjirokastër, madje ka godinën e ish-kombinatit në pronësi. Gazetarët e Fiks Fare shkuan në ambientet e Kombinatit. Z.Çaro pranoi se fasoneria është në pronësi të tij, madje ka edhe mijëra metra katrorë që i jep me qira. Një qiraxhi u tha gazetarëve të Fiksit se e ka marrë nga Çaro me 50 mijë lekë në muaj një ambient. “Ky është ambienti që kam unë. Këtë unë minimumi e kam 45 në muaj. 45 mijë lekë të reja” i thotë z.Çaro gazetarëve, duke faktuar pretendimet e z.Hatika. Por, për Prokurorinë e Gjirokastrës dhe drejtuesin e saj, Julian Çafka, që e ka zyrën vetëm pak metra larg këtij Kombinati, z.Çaro është i varfër.