Spiro Ksera, nën hetim edhe për trafik njerëzish drejt SHBA-së
Ish-ministri i Punës në kabinetin “Berisha”, Spiro Ksera, është nën hetim edhe për trafik njerëzish drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Burime nga akuza qendrore pohojnë për gazetën “Shqip” se prej disa vitesh kjo çështje po qëndron në Prokurorinë e Tiranës, ku janë bërë një sërë verifikimesh. I njëjti grup hetimor që urdhëroi arrestimin para disa ditësh, i kryesuar nga prokurori Ndini Tavani, ka në dorë këtë çështje.
Mësohet se hetimet janë mbajtur “peng” nga drejtësia e SHBA-së, pasi akuza ka kërkuar ndihmë juridike në këtë shtet, ku mendohet se janë edhe tre “punonjësit” e Ministrisë së Punës.
Në fakt, tre personat që kanë shkuar në Amerikë nuk kanë qenë asnjëherë punonjës, por ministria përgatiti disa dokumente, madje i bëri edhe një notë verbale ambasadës për dërgimin e tyre në një seminar përtej Atlantikut.
Pas përfundimit të seminarit, tre “vartësit” e Kserës nuk kanë ardhur në Shqipëri.
Prej më shumë se një viti e gjysmë, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës ka nisur në SHBA një letër-porosi për të pyetur emigrantët në atë shtet. Kërkesa u bë në momentin që prokuroria përfundoi hetimet për disa punonjës të Ministrisë së Punës, të cilët akuzoheshin për shpërdorim të detyrës dhe falsifikimeve në tenderin e spotit të reklamës për festën e 1 Majit në vitin 2010.
Mësohet se procedimi penal në fjalë ka si objekt hetimi dërgimin në SHBA të tre shtetasve shqiptarë që janë hequr si punonjës të Ministrisë së Punës, pa qenë në fakt të tillë./Gazeta Shqip