Studentja e Juridikut padit ish të dashurin: Më mori virgjërinë
Gazeta “Panorama” shkruan sot se një studente drejtësie 21-vjeçare ka denoncuar ish-të dashurin e saj për “vjedhje virgjërie me anë të mashtrimit”. E bindur edhe përballë prokurorit, madje me kompetencë të plotë si njohëse e mirë e ligjeve, duke qenë se studion për drejtësi, vajza nga Tirana është dukur e vendosur me kallëzimin e saj, duke u betuar se do e çojë deri në fund këtë çështje.
Fillimisht vajza me iniciale D.I. është drejtuar në Policinë e Tiranës për të denoncuar ish-të dashurin e saj, 27-vjeçarin R.A. dhe kallëzimi i saj është referuar në Prokurori. Në të dy institucionet ajo ka këmbëngulur se është mashtruar nga i dashuri i saj, me të cilin ka pasur një lidhje 16-mujore dhe premtimet e tij për martesë e kanë bindur që t’i falte virgjërinë. Në të kundërtën, sipas saj, nuk do kishte fjetur kurrë me të. Për këtë arsye, ajo është e bindur që ish-i dashuri, një punonjës në agjenci reklamash, ka konsumuar veprën penale të mashtrimit. Megjithëse deri më sot nuk ishim përballur me një çështje të tillë penale, në rast se kjo dosje dërgohet në Gjykatë, atëherë numri i dosjeve me mbishkrimin “vjedhje virgjërie me mashtrim” do të kalojë edhe numrin e rasteve të vjedhjeve të thjeshta, që siç dihet shënojnë numrin më të lartë.
Si një njohëse e mirë e ligjeve, ashtu siç ka pretenduar gjatë deklarimeve, 21-vjeçarja është siguruar që të marrë me vete edhe provat, sipas saj bindëse, që e bëjnë me faj ish-të dashurin. Sipas burimeve, provat kanë qenë një dosje me rreth 40 faqe A4, mesazhe dashurie në “Facebook”, e-maile dhe SMS në celular, që djali i kishte dërguar asaj gjatë periudhës 16-mujore që ishin të lidhur bashkë.