Studimet, Maturantët nga sot mund të plotësojnë formularin A2, ja si veprohet
Duke nisur nga dita e sotme të gjithë maturantët e Maturës Shtetërore 2015, mund të plotësojnë formularin A2 për përzgjedhjen e programeve të studimit preferenciale midis atyre të ofruara nga Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për vitin akademik 2015 – 2016.
Së pari duhet të shkarkojnë nga faqja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) www.akp.gov.al, faturën për arkëtim për plotësimin e formularit A2.
Faturën mund ta gjejnë edhe në rubrikën Matura Shtetërore -> Matura Shtetërore 2015 -> Paketë informuese për formularin A2 2015 -> Fatura për arkëtim për plotësimin e formularit A2, dhe më pas ta printojnë.
Me këtë faturë të printuar duhet të paraqiten pranë zyrave të Postës Shqiptare apo secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2000 lekësh.
Më pas të paraqiten në drejtorinë e shkollës, në të cilën kanë bërë aplikimin e formularit A1, apo A1Z dhe të dorëzojnë mandat pagesën.
Pas dorëzimit të mandat pagesës, punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatikë pikët dhe notën mesatare të tij.
Vëmë në dukje se maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk kanë mundësi të aplikojnë me formularin A2 për shkak të mungesës në sistem të pikëve dhe notës mesatare.
Afati i plotësimit të pikëve dhe notës mesatare në sistem është nga data 20.07.2015 ora 08:30 deri në datën 28.07.2015, ora 16:30