Sulm për të shmangur rikandidimin? Bime: Për sot le ta lemë me kaq
“Unë falënderoj Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që më në fund dhe me kërkesën time, gjeti kohën të vijë dhe mbërriti në Gjirokastër”, – thotë Flamur Bime në një bisedë telefonike me redaksinë e DITA-s dje në mbrëmje.
“Ne me dokumente dhe me fakte para opinionit publik në përgjithësi dhe atij gjirokastrit në veçanti, do të argumentojmë se pretendimet e ngritura janë të pabaza”, – shton kryebashkiaku i Gjirokastrës në intervistën që botohet sot e plotë në DITA.
I pyetur nga gazetari Xhevdet Shehu nëse ka koment lidhur me zërat që e lidhin padinë pak muaj para zgjedhjeve lokale me shmangien nga rikandidimi, z.Bime thotë ndër të tjera:
“Është ende herët për të folur, për sot le ta lemë me kaq”.
IKMT-ja (Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit), kallëzoi sot penalisht kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës dhe disa zyrtarë të tjerë.
Kallëzimi lidhet me një vendim të miratuar nga Bime në kohën kur drejtonte KRRT-në e këtij qyteti.
Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 7 katësh në lagjen “18 shtatori”. Leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh, – raporton DITA.
IKMT-ja ka kallëzuar po ashtu edhe Kryeinspektorin dhe inspektorët e IKMT -së së Bashkisë Gjirokastër si dhe Ilir Çumakun, ish-sekretar i KRRT-së në Bashkinë Gjirokastër, Antoneta Çakon, ish-sekretare e KRRT-së në Bashkinë Gjirokastër dhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të KRRT-së, Bashkia Gjirokastër.
Akuza është: “shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.
Pas Shpëtim Gjikës së Vlorës dhe Baftjar Zeqos së Fierit, Bime është kryebashkiaku i tretë socialist që paditet.