“Suvenir Girokastra”, shpallet konkursi për talentet në fushën e dizajnit për artizanatin
Në kuadër të projektit “From Gjirokastra-Made in Gjirokastra” të ndërmarrë nga Fondacioni për Liri Ekonomike në bashkëpunim me AMSHC dhe Fondacionin Gjirokastra, shpallet konkursi “Suvenir Gjirokastra”, një konkurs që është ndër të tjera një mundësi shumë e mirë për të inkurajuar talentet e reja, për të identifikuar kreativitetin e modeluesve, për të promovuar një trashëgimi individuale, familjare e kolektive, për të ekspozuar një referencë trashëgimie dhe aktualiteti që lidhet me artin dekorativ popullor. Të gjithë studentët e dizajnit, por edhe persona të tjerë që kanë talent në fushën e dizajnit për artizanatin, janë të ftuar të aplikojnë deri më datën 23 shtator 2014. Në fund të konkursit do të përzgjidhen 20 artistë dhe të do shpallen tre çmime:
– Çmimi Krijimi më i mirë
– Çmimi Krijimi më i mirë me produkte të ricikluara
– Çmimi Krijimi më i mirë i bazuar në traditën artizanale lokale
Të interesuarit për këtë konkurs të kontaktojnë me e-mail në adresën ornela.cuci@uet.edu.al ose mund të paraqiten pranë zyrës së Fondacionit për Liri Ekonomike në Tiranë.
“From Gjirokastra-Made in Gjirokastra” është një projekt, përmes së cilit do të mundësohet gjallërimi i traditës së prodhimit duke shtuar elementë të rinj bashkëkohorë në prodhime me cilësi të cilat mbartin dhe vlera të aspekteve e elementëve të trashëgimisë kombëtare, nxitja e debatit mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore si industri potenciale për Gjirokastrën.