Tahiri: Pas ndërhyrjes në Lazarat dhe Dukagjin, Shqipëria jo më vend origjine në prodhimin e drogës
“Shqipëria nuk është më vend origjinë në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike”.
Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë aktivitetit të organizuar në Hotel Tirana nga Ministria e Brendshme në përmbyllje të aksionit kombër kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Ministri Tahiri tha se në pak muaj janë arritur rezultate të cilët nuk janë arritur përgjatë 6 apo 8 viteve të fundit. Këto rezultate, argumentoi Tahiri kanë ardhur si rrjedhojë e një pune të mirë organizative dhe vullneti të plotë për të arritur rezultate konkrete.
“Fillimisht pastruam nga Policia ato figura të lidhura me krimin e që rëndonin imazhin e uniformave blu. Më tej, punuam ngushtësisht me partnerët e huaj, në veçanti me Policinë Italiane (Guardia di Finanzzan), me misionin PAMECA, ICITAP etj, duke krijuar një polici të denjë për të ndërhyrë në aksion, ç’ka solli dhe neutralizimin e mbi 41 grupesh kriminale”, theksoi Tahiri.
Fillimi i këtij aksioni, tha ai, ishte ndërhyrja në Lazarat.
“Kur pjekuria e Policisë së Shtetit po arrinte majën, uniformat blu nisën aksionin në Lazarat, duke i hapur kështu zyrtarisht luftë trafikut dhe prodhimit të narkotikëve. Ndërhyrja në Lazarat ishte dëshmi e qartë e Policisë së Shtetit për të marrë në dorë një zonë që ishte drejtuar nga trafikantët. Më tej ndërhymë edhe në Dukagjin, me po aq rrezikshmëri sa Lazarti, por me një emër më të vogël në këtë drejtim”, tha Ministri i Punëve të Brendshme.
Duke ilustruar arritjet e Policisë së Shtetit me shifra, ministri i Brendshëm tha se janë asgjesuar më shumë se 2 222 parcela në të gjithë Shqipërinë si dhe 530 177 rrënjë canabis.
Gjatë këtyre muajve janë sekuestruar 101. 7 ton marjiuanë që janë më shumë se sasia e marjiuanës e sekuestruar gjatë 8 viteve të fundit. Janë arrestuar 1058 persona, 604 në gjendje të lirë dhe 187 janë dhe në kërkim”, nënvizoi Tahiri.
Sipas Tahirit, nëse kjo sasi droge do të dilte në treg atëherë vlera monetare e saj do të kapte shumën e 6.4 miliardë eurove.