Takimi i Nardi Hides me personat me aftësi ndryshe, kandidati i PD “revoltohet” me Magdën: Ajo ka në dorë çelësat e kashtës dhe nuk di nga bie rruga për Libohovë
Kandidati i PD-së së Sali Berishës në Libohovë, Adil Xhelili, ka reaguar pasi rivali i tij publikoi një takim me persona me aftësi ndryshe. Ai thotë se takime të tilla janë boshe dhe bëhen për reklama elektorale. Xhelili shkruan më tej se këta njerëz nuk e meritojnë nëpërkëmbjen. Për drejtoreshën e Shërbimit Social Shtetëror në Gjirokastër, Magdalena Margariti, e cila ishte e pranishme në takim, ndonëse Xhelili nuk e përmend me emër, shkruan se ajo nuk e di nga bie rruga për Libohovë dhe se ajo ka në dorë çelësat e kashtës.
Edi është një qytetar që kurrë nuk pajtohet me asnjë qeveri, me asnjë reformë gjysmake për shtresat në nevojë. Dhe në këto kushte Edi dhe çdo qytetar libohovit si ai që vuajnë më shumë se ne të tjerët me revoltë duhej të akuzonte këta drejtues institucionesh që kujtohen vetëm në kohë fushatash se:
👎Në 10 vite asnjë drejtues institucioni apo instancë shtetërore nuk është interesuar për këtë shtresë në nevojë.
👎Në 10 vite u është hequr ose reduktuar KCAMP( kempi) shumë prej këtyre qytetarëve.
👎Në 10 vite asnjë rimbursim mjekimi, fishe, analize, pajisje ortopedike.
👎Në 10 vite asnjë punësim me kohë të pjesshme i tyre në institucione qendrore apo vendore.
👎Në 10 vite asnjë rimbursim bilete transporti sipas tregut.
👎Në 10 vite asnjë interesim i bashkisë për ta.
👎Në 10 vite sorollatje në Tiranë për shkresa, vizita, analiza.
Për çfarë shërbejnë takime të tilla boshe, me drejtorë që kanë çelsat e kashtës e që nuk e dinë nga bie rruga për Libohovë?
Të gjithë e dinë se kurthe të tilla bëhen vetëm për reklamë elektorale dhe rezultati dihet.
Nuk e meritojnë këtë nëpërkëmbje këta burra e gra që fati u serviri një jetesë të vështirë.
Një bashki sado e vogël për ta duhet të bëjë:
👍Punësim me kohë të pjesshëm për shtresa të caktuara.
👍Mbështetje me transport publik dhe subvencion bilete
👍Marrëveshje me donatorë për ndihma të shpeshta në medikamente e pajisje.
👍Zgjerim i skemës së ndihmës për ta.
👍Krijimi i kushteve lëvizore, rampa etj.
👍Lehtësi për pajisje me dokumentacion, shërbime etj. Kaq mund t’i bëjmë realitet pas 14 majit, me dëshirë, përkushtim, pa foto reklame e tryeza drejtorësh, por me zemër në dorë karshi tyre.