Të drejtat e minoritetit, Totozani në Gjirokastër: Të ribëhet regjistrimi i popullsisë
“Të realizohet një census i pakontestuar dhe i gjithëpranuar nga minoritetet , që të jap shifrat reale të popullsisë minoritare, dhe komuniteteve të tjera”. Kështu deklaroi Avokati i Popullit, Igli Totozani, në një auditorium për gjendjen e të drejtave të minoriteteve të mbajtur në Gjirokastër.
Totozani saktësoi se pavarësisht proceseve të regjistrimit të popullsisë të ndërmarra nga ana e shtetit, (përfshirë këtu censusin e vitit 2011), gjendemi para faktit të një debati mes deklarimit zyrtar të shifrave të popullsisë minoritare në vend dhe nga ana tjetër të mospranimit dhe kontestimit të tyre nga ana e vet minoriteteve.
“Ky moment konstaton mungesën e të dhënave të sakta statistikore mbi popullsinë minoritare, të dhëna këto që të jenë të pranueshme nga të gjitha palët”, u shpreh Avokati i Popullit në këtë takim. Si prioritet u konsiderua edhe përmirësimi i kuadrit ligjor për minoritetet.
Avokati i Popullit paraqiti nevojën e miratimit të një ligji, ku të përcaktohet definicioni dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës “Për mbrojtjen e minoriteteve”. Një gjë e tillë aktualisht mungon.
Avokati i Popullit ka pranuar se në zyrën e tij në Dropull, shqetësimet janë të shumta. Në përgjigje të kërkesave të tyre, Igli Totozani, e cilësoi domosdoshmëri mbajtjen e një tjetër censusi, që të jetë i pranueshëm nga minoritetet dhe pranoi që mungon ligji për pakicat.