Te Kultura, ikën një ministre nga Libohova vjen një tjetër nga Lunxhëria (FOTO)
Pas afro 6 vitesh në krye të Ministrisë së Kulturës, Mirela Kumbaro ka kaluar detyrën tek ministrja e re, Elva Margariti. Kumbaro me nënë nga Gjirokastra dhe baba nga Libohova deri më tani është ministrja më jetëgjatë në krye të Ministrisë së Kulturës që prej vitit ’92. Është ‘akuzuar’ shpesh edhe në Kuvend e media se gjatë drejtimit të ministrisë ka favorizuar qarkun Gjirokastër me projekte e investime të shumta, duke qenë se është zona e saj elektorale dhe zona prej nga ka origjinën.
Natyrisht që ky diskriminim pozitiv është mirëpritur prej nesh që jetojmë këtu. Por Ministria e Kulturës do të vijojë të ‘ngelet’ në Gjirokastër. Ministrja e re Elva Margariti është sërish me origjinë nga Gjirokastra. Më konkretisht nga krahina e Lunxhërisë edhe pse lindur e rritur në kryeqytet.
Pas studimeve në Firence për arkitekturë, ajo u kthye në Shqipëri në vitin 2015, për të nisur punë si pedagoge në Universitetin ‘Zoja e Këshillit të Mirë’. Më pas vijoi angazhimin si këshilltare e kryeministrit Edi Rama dhe koordinatore e programit ‘100 Fshatrat’, program i cili synon zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur dje gjatë ceremonisë së kalimit të detyrës nga Kumbaro, Margariti tha ndër të tjera se sfida e saj e vetme në krye të Ministrisë së Kulturës është të arrijë të mbajë të njëjtin ritëm si paraardhësja.
“Unë besoj se së bashku do të ndërtojmë vazhdimësinë e një pune, që ju e keni nisur, që Mirela e ka nisur dhe e ka çuar përpara me shumë përkushtim e me shumë rezultate. Kjo për mua është e vetmja sfidë, të arrijmë të mbajmë të njëjtin ritëm”, tha Margariti.
Gjatë ceremonisë u prezantua gjithashtu edhe një klip ku ishin përmbledhur disa prej momenteve kryesore që shenjonin punën e Mirela Kumbaros në krye të Ministrisë së Kulturës për afro gjashtë vjet. Pas lënies së detyrës së ministres, Kumbaro do të vijojë angazhimin politik si deputete duke koordinuar fushatën elektorale të socialistëve në qarkun Gjirokastër. /argjirolajm.net