Të pathënat e Zagorisë, krahinës së bukur mes maleve (FOTO)
Krahina e Zagories njihet shumë pak, edhe pse roli i saj ka qenë gjithmonë strategjik. Krahina e Zagorisë është një ndër krahinat më malore, por dhe ndër më të bukurat në rrethin e Gjirokastrës dhe rajonit Jugor. Ka një popullsi kryesisht autoktone dhe me rrënjë nga lashtësia. Gjatë kohëve moderne dhe viteve të emigrimit masiv, në Zagori u vendosen disa dhjetëra familje vllehe. Në ditët e sotme të ardhurit në këtë krahinë janë përshtatur dhe nuk bëjnë dallim nga vendasit autoktone.
Gjatë periudhës otomane Zagoria përfshihej në rrethin e Tepelenës ose siç quhej atëherë kazanë e Tepelenës. Më pas rreth viteve 1918 u përfshi në rrethin e Përmetit, ndërsa qysh prej vitit 1923 e deri në ditët e sotme Zagoria është pjesë e rrethit Gjirokastër.
Përfshirja në rrethin e Gjirokastrës ishte zgjedhja më e mirë për shkak të qasjeve të shumta të zagoritëve me banorët e Gjirokastrës.
Zagoria shquhet në rrafsh kombëtar për nivelin e lartë intelektual të popullsisë. Qysh prej periudhës së Zogut përqindja e Intelektualeve zagoritë në nivel vendi ka qenë ndër më të lartat.
Zagoria përbëhet nga 10 fshatra. Përkatësisht: Sheper, Nivan, Nderan, Topove, Koncke, Hoshteve, Lliar, Vithuq, Doshnice dhe Zhej. Deri vitet e fundit fshati më i madh i Zagorisë ka qenë Sheperi me një rekord prej 600 shtëpish, thuhet në një dokument të vjetër turk.
Qendra e Komunës ndodhet në Nivan, rreth 45 km, larg nga Gjirokastra. Me ndarjen e re administrative ajo bën pjesë në Bashkinë e Libohovës…
Para historia e saj daton qysh në shekullin e X, ku popullsia e saj ishte autoktone dhe në vitin 1431-1432, ka pasur 188 familje me 1600 banorë.
Sipas regjistrit të vitit 1583 numri i banorëve mësohet të ketë arritur deri në 3300 banorë dhe fshati më i madh rezulton të ketë qenë Sheperi me 600 shtëpi.
Rritja e popullsisë në krahinë ka ardhur si rrjedhojë e migrimeve të shumta nga krahinat e Labërisë, Kolonjës, apo zona të tjera që ruajtën fenë kristiane nga persekucionet e invadorëve të ndryshëm.
Deri në gjysmën e shek XIX popullsia arriti në 4300 banorë. Mungesa e tokës për prodhim bujqësor, vështirësitë e jetesës dhe ato natyrore, etj., kanë qenë arsyet pse banorët e kësaj zone emigruan në Stamboll, Greqi, Francë, Misir dhe në fillim të shek. XX në Amerikë dhe Kanada, pa llogaritur këtu lëvizjet e ndryshme migratore.
Pra në shekujt e XVIII-XX, rreth 75- 80% e fuqisë punëtore zagorite jetuan dhe punuan në emigracion. Lugina e Zagorisë përshkohet nga një gjatësi prej27 km, kurse pellgu ujëmbledhës i saj është rreth 171 km2. .
Zagoria është vendosur në lartësinë rreth 750 m, mbi nivelin e detit dhe bukuritë e saj natyrore shpalosen në gjithë fshatrat e saj duke kulmuar kështu tek ujëvara impresionuse “Rrema e Doshnicës”, me një lartësi rreth 20 m.
Rruga automobilistike që lidh Zagorien me Gjirokastrën u përurua në vitin 1961, telefonizimi i saj u krye më 1967 dhe në vitin 1969 përfundoi elektrifikimi i gjithë fshatrave të krahinës.
Po ashtu u ndërtuan vepra të domosdoshme social-kulturore në shërbim të arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe jetës shoqërore në të.