Të shpëtojmë “Zemrën Blu” të Europës, në fokus lumi Vjosë
Ky shkrim merr shkas nga shqetësimi i mjedisorëve evropianë dhe vendas për kërcënimet hidroenergjetike ndaj lumenjve të Ballkanit, përfshirë dhe Shqipërinë, ku ndër ta lumi Vjosë ka vëmendje të veçantë. Lumenjtë e Ballkanit konsiderohen sot si Zemra Blu e Evropës, për gjendjen e tyre natyrore të ruajtur më mirë se pjesa tjetër e gjithë kontinentit, për larminë e habitateve dhe të llojeve bimore dhe shtazore që strehojnë. Shqetësimi qëndron në rrezikun që i kërcënon ndërtimi i mbi 2000 digave, përhapur gjerë në gjithë Ballkanin, që për mendimin tim duket se është i mjaft i nxituar, i mbështetur më shumë në interesa të çastit dhe aspak miqësor me mjedisin. Në këtë mënyrë, organizma joqeveritare ndërkombëtare mjedisore me emër kanë ndjekur nga afër dhe kanë mbështetur në gjithë këtë periudhë tranzicioni për vlerësimin dhe mbrojtjen e natyrës, të biodiversitetit, përfshirë këtu edhe lumenjtë, duke bashkëpunuar edhe me organizma qeveritare dhe joqeveritare në secilin vend të rajonit.
Lumenjtë e Ballkanit – Zemra Blu e Evropës
Në gjithë rajonin e Ballkanit ka mbi 34000 kilometra rrjedhash lumore, ku rreth 3100 km i përkasin Shqipërisë; rreth 1/3 e tyre është në gjendje gati natyrore, thuajse të paprekur, e cila në vende si Shqipëria shkon deri në 70%. Për këtë lumenjtë e Ballkanit përbëjnë ‘pika të nxehta’ biodiversiteti, me rëndësi jetike jo vetëm për secilin vend përkatës në rajon, por për gjithë Evropën. Lumenjtë e Ballkanit strehojnë afërsisht 30% të llojeve të peshqve të kërcënuar dhe mbi 50% të llojeve të molusqeve të kërcënuar për ujërat e ëmbla të Evropës. Rreth 75% e këtyre llojeve të peshqve dhe 70% e llojeve të molusqeve janë shumë të ndjeshëm ndër të tjera nga ndërtimi i digave dhe shfrytëzimi për hidroenergjetikë, i përhapur si epidemi në dhjetë vitet e fundit në gjithë Ballkanin.
Informacioni është se në Ballkan janë planifikuar për ndërtim mbi 2000 diga të reja për HEC-e; rreth 90% e tyre kërcënojnë deri në shkatërrim vlerat ekologjike të këtyre rrjedhave lumore; mbi 600 prej tyre janë planifikuar brenda Parqeve Kombëtare dhe zonave të tjera të mbrojtura, si në Vjosë, Lurë ose She Shebenik (në Shqipëri), në Parkun Kombëtar të Mavrovës (Maqedoni), apo përgjatë lumit Sava (në Kroaci dhe Slloveni). Janë këto fakte që kanë tërhequr vëmendjen dhe rritur shqetësimin e specialistëve të mjedisit në nivel vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar; interesim ka pasur edhe në mjetet e informimit, si të shkruar dhe atë pamore, brenda vendit dhe jashtë. Falë kësaj trysnie, peticionit të organizuar në kuadrin e nismës së Zemrës Blu (me mbi 100 mijë firma), ka të dhëna të freskëta se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka bllokuar fondet për ndërtimin e dy HEC-eve në Parkun Kombëtar të Mavrovos (Maqedoni).
Lumenjtë shqiptarë, gjendja dhe kërcënimet
Shqipëria është e pasur me lumenj pak a shumë të paprekur, disa prej të cilëve mjaft të rrallë për Evropën. Janë mbi 152 lumenj dhe përrenj të vegjël që formojnë 8 lumenj të mëdhenj Buna, Drini, Mati, Ishmi, Erzeni, Shkumbini, Semani dhe Vjosa, që rrjedhin nga juglindja drejt veriperëndimit në bregdetin Adriatik (gjithsej 3118 km). Veçanërisht në lindje, në zonën malore, lumenjtë janë të rrëmbyer dhe gërryes, me potencial të lartë hidroenergjitik, kurse në pjesën perëndimore janë të qetë dhe me shtrat të gjerë. Nga vlerësimet e bëra nga specialistët gjendja natyrore dhe vlerat e biodiversitetit të lumenjve shqiptarë mendohet të jetë ndër më të lartat në Ballkan.
Kjo përkon edhe me vlerësime të cilësisë biologjike të bëra prej nesh gjatë periudhës 2012-2013, ku rreth 80% e stacioneve lumore të shtrirë thuajse në gjithë territorin shqiptar i përkasnin cilësisë ‘mirë’ ose ‘shumë mirë’, në përputhje kjo edhe me kërkesat e Rrjetit Evropian të Ujërave (WFD, 2000). Duke mbivendosur vlerësimin hidrometeorologjik të gjithë rrjedhjeve lumore dhe hapësirat e mbrojtura ekzistuese në Shqipëri, kryer nga EURONATUR & RIVERËATCH (2013), mund të arrihet në përfundim se rreth 2200 km rrjedhje lumore (mbi 70%) në vend kanë shkallë të lartë ruajtje, gati të paprekura, duke përfaqësuar zona ligatinore apo delta të rëndësishme; edhe pjesa tjetër e lumenjve rreth 520 km (afërsisht 20%) mbetet përsëri me gjendje ruajtje të lartë, pak apo mesatarisht e prekur.
Pavarësisht nga kjo gjendje e mirë natyrore në dukje e lumenjve mund të pohohet se ndikimi i njeriut nuk duket se ka qenë i pakët dhe miqësor në vite; por kjo trysni është shtuar dukshëm në 10 vitet e fundit në fushatën hidroenergjetike të shtrirë në çdo skaj të vendit, me ndërtim digash, kanalesh apo tunelesh devijuese. Në Shqipëri janë sot në funksion rreth 100 HEC-e, prodhimi i të cilëve për periudhën 2000-2013 ka mbuluar mesatarisht rreth 70% të konsumit vjetor të gjithë vendit (INSTAT), me luhatje nga rreth 50% në 2007 deri në rreth 90% në 2010. Ndërkohë janë në pritje për t’u ndërtuar mbi 430 HEC-e, ku mbi 290 leje janë dhënë tashmë (2007-2013), të përhapura gjeografikisht në gjithë vendin, ku mbi 80 prej tyre prekin zona lumore me shkallë shumë të lartë ruajtje.
Vlen të thuhet gjithsesi se ka informacion që një pjesë nga këto leje janë shfuqizuar nga qeveria e sotme, gjë për të cilën e përgëzojmë; megjithatë, gjendja mbetet përsëri shqetësuese. Për këtë arsye, në qendër të vëmendjes së shqetësimit hidroenegjetik qëndrojnë padyshim lumenjtë shqiptarë, dhe veçanërisht lumi Vjosë, me të drejtë i quajtur lumë i egër. Arsyeja është se këtu përfshihet ajo pjesë e vendit që është ajka e natyrës sonë, e cila kishte mbetur ende pa prekur nga dora barbare e njeriut. Lejet e dhëna për shfrytëzim janë shtrirë deri dhe në zona të shpallura më parë si të mbrojtura, në kundërshtim jo vetëm me aktet ligjore në vend, por dhe me aktet dhe detyrimet ndërkombëtare për zonat e mbrojtura.
Vjosa , rreziqet që po vijnë nga zhvillimet
Ja disa fakte për vlerat e biodiversitetit të lumit Vjosë që kërcënohen nga gjithë ky zhvillim marramendës jo miqësor. Hapësira lumore shfaq larmi të madhe habitatesh dhe speciesh. Për këtë, delta e tij, laguna e Nartës dhe brezi përkatës i dunave bregdetare janë shpallur Pejisazh i Mbrojtur në 2004, po në këtë mënyrë, janë zona të mbrojtura edhe pylli në Pishë Poro (Povelçë-Drazezë), zona e Hotovë-Dangëllisë, e Kardhiqit, e Sotirës e Zhejit etj. Në gjithë zonën ka me dhjetëra monumente natyrore të njohura, por shumë vlera janë ende të panjohura prej nesh, pasi jo gjithçka është e studiuar deri në fund. Në hapësirën e pellgut gjenden lloje të rralla, endemike apo relikte, sidomos në dunat ranore dhe zonat kënetore të deltës dhe përgjatë lumit. Flora e ekosistemit të Vjosës është e pasur. Në grykëderdhjen e Vjosës ka pyje të mbjellë rreth 50 vjet më parë, ku mbizotërojnë pisha e egër dhe pishë e butë; pylli në Pishë Poro është më pishë të zezë, e pazakonshme kjo për habitatin normal të saj. Nënpylli sundohet nga shkurret, si mërsina, shqopa, xina dhe dëllinjat etj.; është me interes këtu prania e salepit shqiptar (Orchis albanica), e fierit të rrallë ujor me katër gjethe (Marsilea quadrifolia) etj. Kurse në pjesët e sipërme të rrjedhjeve mund të përmenden llojet bimore Heliosperma intonsum, Silene cephallenia, Solenanthus albanicus, Gymnospermium maloi (të gjitha bimë endemike për zonën), Crocus hadriaticus, Arbutus andrachne (subendemike) etj. Në zonë rriten edhe bimë të tjera të rralla për florën e Shqipërisë, si Orobanche lavandulacea, Gagea granatelli, Galanthus reginae-olgae ssp. vernalis, Stachys sericophylla, Viola acrocerauniensis etj. Parku i Hotovë- Dangëllisë (34’300 ha) është një masiv prej i përbërë kryesisht nga bredhi i Maqedonisë (Abies borisii-regis), por edhe nga disa lloje panjash, shkozë, ilqe, dëllinja, mjedër etj. Rrjedha e mesme dhe e poshtme karakterizohet nga dushkaja të përziera. Zona bregdetare delta e Vjosës-Nartë njihet në Shqipëri si e dyta për nga rëndësia për shpendët ujorë (jepen deri 80 lloje), pas Karavastasë; kjo zonë njihet si vendi kryesor për dimërimin e disa llojeve shpendësh, si flamingot dhe çafka e Audouinit (Ichthyaetus audouinii); në zonë është përmendur dhe prania e pelikanit kaçurrel.
Vjosa, lumi i egër në Evropë që s’duhet ndërprerë
Nga studimet e bëra si nga WWF (2014) dhe EURONATURE & RIVERWATCH (2013), lumi Vjosë është veçuar ndër lumenjtë shqiptarë. Vjosa është ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, me gjatësi prej 272 km dhe sipërfaqe pellgu 6700 km2, ku 4365 km2 i përkasin Shqipërisë dhe pjesa që mbetet Greqisë. Mesataria e prurjeve shumëvjeçarë është 195 m3/s, që luhatet nga 33 m3/s deri në 237.6 m3/s, ku 84% e prurjeve rrjedhin gjatë periudhës së lagësht (dimër – pranverë). Lumi buron nga malet Pindos në Greqi; brenda territorit shqiptar mbledh ujërat edhe nga malet e Shqipërisë, përshkon disa rrethe (Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë) dhe përfundon në detin Adriatik afër lagunës së Nartës, Vlorë. Degët kryesore janë Sarandoporo (Greqi), Drino dhe Shushica (Shqipëri), por në të bashkohen edhe shumë degë të tjera më të vogla.
Në Vjosë përfundojnë edhe shumë burime, si ato të Grykës së Këlcyrës, Ujit të Ftohtë (Tepelenë), Libohovës, Viroit (Gjirokastër), Poçemit, shumë prej tyre të famshme në gjithë vendin për ujin e pijshëm në shishe. Vjosa është ndër lumenjtë e rrallë të Evropës që është i pandërprerë me diga nga burimi e deri në grykëderdhje në det. Për këtë, me të drejtë konsiderohet lumë i egër dhe sot kërkohet të mbrohet si i tillë, të mos ndërpritet nga digat dhe të shoqërohet zhvillimi ndryshe me masa mbrojtëse dhe ripërtëritëse, duke e shpallur Park Kombëtar lumor. Këto janë dëshirat që vijnë nga organizmat ndërkombëtare në kuadrin e nismës për Zemrën Blu, të cilat kanë gjetur mbështetje edhe nga organizma joqeveritare vendore nën drejtimin e qendrës mjedisore EcoAlbania, por dhe të pushtetit vendor, medias vendase dhe ndërkombëtare, por dhe të shumë interesuarve të tjerë për mjedisin në vend. Mund të lexoni për këtë shkrimet përkatëse për Vjosën në gazetat me emër, atë gjermane Der Schpiegel (13.01.2014) dhe në atë angleze The Guardian (20.02.2015).
Të shqetësuar janë edhe gjithë palët vendore dhe më gjerë, shprehur në disa nga takimet e organizuara në zonë, si në Çarshovë, Përmet, Tepelenë, Qesarat e gjetkë. Sipas një studimi për vlerësimin e potencialit hidroenergjitik, të përfunduar në vitin 1990, mbi lumin Vjosë përcaktohen 8 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 500 MW, ndërsa energja elektrike e prodhuar vlerësohet në 2.2 TËh. Pra në planet hidroenergjetike ekziston mundësia për ndërtim deri në 8 diga gjatë gjithë rrjedhës së lumit nga Mifoli deri në Përmet. Diga e Kalivaçit është e para që ka filluar të ndërtohet (qysh në 2007); në dy vitet e fundit, punimet në kantierin e digës janë ndërprerë (në nivelin 30%). Sot rrjedha e Vjosës është ende e lirë – por edhe për sa kohë? Diga e Kalivaçit do të ndalojë e para rrahjet e zemrës blu të gjithë ekosistemit, duke ndërprerë korridorin e lirë ujor nga malet deri në Detin Adriatik.
Për më tepër në degët lumore anësore e të Vjosës janë dhënë leje ndërtimi apo janë ndërtuar tashmë mbi 20 HECe (disa i përmendëm më sipër), të cilët së bashku janë trysni shtesë mbi vlerat natyrore, të biodiversitetit dhe të zhvillimit të turizmit në zonë. Për më tepër, në zonë nuk kanë munguar dëmtimi i pyjeve në shpatet kodrinore-malore, shfrytëzimi i tepruar për inerte në shtratin e Vjosës, Drinos dhe Shushicës dhe ndotja nga shkarkimet e ujërave të patrajtuara. Epidemia e lumenjve duket se nuk ka kursyer as fqinjin tonë në BE, Greqinë, që pavarësisht se pjesën e sipërme të Vjosës e ka shpallur herët zonë të mbrojtur (Vikos–Aoös National Park), ka miratuar zbatimin e një plani menaxhues me qëllim devijimin e rreth 70 milionë m3/vit nga Vjosa drejt lumit Kalamas për vaditje; nuk jam në dijeni në se për këtë ka pasur ndonjë marrëveshje mirëkuptimi me Shqipërinë, në përputhje me aktet normative për mbrojtjen dhe përdorimin e ujërave ndërkufitare (Konventën e Ujërave).
*Autori është profesor në Departamentin e Biologjisë, në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës