Territori rreth kalasë së Libohovës shpallet zonë e mbrojtur. Çfarë do ndodhë me ndërtimet?
Territori rreth kalasë së Libohovës është shpallur zonë e mbrojtur nga Ministria e Kulturës. Vendimi është marrë në datën 25 shtator 2014, njofton përmes rrjetit social Facebook Bashkia Libohovë. Sipas këtij vendimi, duke u mbështetur në ligjin “Për trashëgiminë kulturore”, nuk lejohen ndërhyrje me karakter ndërtimor në këtë zonë.
Sikundër e shihni në foto në zonën e lakuar me vijë të kuqe, nuk do të lejohen ndërtimet. Është një zonë me sipërfaqe të konsiderueshme, brenda së cilës ka një numër jo të vogël ndërtimesh, të gjitha banesa të qytetarëve që jetojnë në këtë zonë. Shumica janë ndërtime të para shumë kohëve, ndërsa një pjesë janë ngritur rishtaz. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me këto ndërtime. Do të prishen këto ekzistueset apo nuk do të lejohet më ngritja e të tjerave?
Burime zyrtare nga Bashkia Libohovë, u shprehën se as për ata nuk është akoma e qartë çfarë do të ndodhë, ndërsa shtuan se ligji për trashëgiminë bën të pavlefshme çdo leje të dhënë në zona të mbrojtura. Llogjika ta thotë se ky udhëzim, ky ligj, nuk duhet të ketë fuqi prapavepruese, që do të thotë se nuk mund të zbatohet për ndërtime që janë ngritur para momentit të hyrjes në fuqi të tij, pra para datës 25 shtator 2014. Për gjithçka ndodh pas kësaj date, pengohet çdo ndërhyrje me karakter ndërtimor.