Tifozët e Luftëtarit, paralajmërim të fortë për FSHF-në dhe gjyqtarët
Kampionati ka hyrë në fazën më të nxehtë të tij dhe fundi duket sa afër, edhe larg. Duket afër, sepse kanë mbetur dhe 9 ndeshje për t’u zhvilluar, ndërsa duket larg, sepse gara për rënien nga kategoria dhe pjesëmarrja në Kupat e Europës do të mbetet e hapur deri në momentet e fundit. Ndeshjet e para të fazës së katërt të kampionatit do të nisin të shtunën dhe do të përfundojnë të hënën. Gjirokastritët do të presin në shtëpi durrsakët, në një sfidë që vlen shumë për të dyja skuadrat.
Ambiciet te Luftëtari janë për pjesëmarrjen në Ligën e Europës, ndërsa Teuta kërkon mbijetesën. Pra, për durrsakët është një nga finalet e sezonit. Por, ashtu siç paramendohet në këtë fazë, skuadrat u druhen aleancave dhe ndikimit të arbitrave. Këtë gjë e ka paralajmëruar tifozëria e Luftëtarit. Tifo-grupi “Shqiponjat Bluzi” paralajmërojnë që, në rast se arbitrat nuk do të jenë korrektë në gjykimin e ndeshjes të së shtunës, nuk do të mbajnë përgjegjësi për atë çfarë mund të ndodhë në fushë.
“Ndeshjen e radhës me Teutën, ne si tifozë i bëjmë thirrje federatës, që të ketë kujdes me arbitrat që do të caktojë. Në qoftë se do të sjellin ndonjë si Ziri, Sino apo ndonjë tjetër, ne si tifozë të Luftëtarit nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë mund të ndodhë. Kërkojmë të vijë një arbitër me stemën e FIFA-s.
Me mundin dhe djerësn tonë nuk tallet dot njeri. Nuk janë vetëm 11 futbollistë, është një qytet i tërë. Prandaj, i bëjmë thirrje federatës dhe atyre që do të vijnë, të gjykojnë mirë, kur të nisen për Gjirokastër”, – shkruajnë në faqen e tyre në rrjetin social të Facebook-ut tifozët e skuadrës gjirokastrite.