Tjetër alarm në Gjirokastër, rrezikohet edhe një pallat. Banorët apelojnë për ndihmë
Dy pallate në Gjirokastër 8 dhe 10 kate në lagjen “Kodër Shtuf”, ku banojnë 57 familje, rrezikojnë të shemben si pasojë e rrëshqitjes së dhërave. Pas alarmit te pallati 8-katësh disa ditë më parë, probleme me tokën janë raportuar këtë të premte edhe te një pallat 10 katësh, pak metra larg nga i pari. Të dy apartamentet janë ndërtuar rreth 10 vite më parë. Janë 57 familje të cilat rrezikojnë të mbesin në qiell të hapur, ndërsa banorët e pallatit 10-katësh nuk disponojnë as hipotekat e apartamenteve. Banorët shprehen të frikësuar. “Ka tre ditë që bien dhera. Kush na jep garanci që të flemë gjumë, jam vetë e pestë edhe me një fëmijë të vogël. Jemi njerëz të frikësuar. Lekët i kemi dhënë, kam punuar 20-vjet në Greqi për këtë shtëpi. S’kemi hipotekë, ku do dal unë nesër, në rrugë me një fëmijë 5-muajsh”, u shpreh një banore e pallatit 10-katësh për report tv.
“Kemi blerë vdekjen me lekë”, shprehet i irrituar një tjetër banor i cili kërkon ndërhyrjen e mënjehershme të shtetit për t’i dhënë zgjidhje kësaj situate problematike. “Hyrjet i kemi marrë me një kontratë porosie dhe na thanë se për një vit do bësh hipotekën, kështu na tha ndërtuesi. Jemi bashkëfajtorë në këtë situatë, por tani çelësi është shteti, duhet të na mbledhë dhe të na ulë në tavolinë. Të gjitha pallatet në Gjirokastër janë pa shensorë, pa hipotekim, është problematikë prej vitesh. Ky pallat ka 32-hyrje, është i pahipotekuar, katet e sipërme i ka të palegalizuara, shtesë kati”.
Banorët shohin si zgjidhje ngritjen e një muri pranë pallatit dhe një mur tjetër disa metra më lart, për të ndaluar rrëshqitjen e dherave, pasi në të kundërt sipas tyre, pallati do bëhet i pabanueshëm apo më keq akoma rrezikon edhe shembjen njësoj si ai 8-katësh në të njëjtën lagje.