Tjeter kallezim penal per Dasho Alikon dhe dy kryepleq te Lazaratit
Dashnor Aliko, kryetari i Komunës Lazarat kallëzohet serish penalisht në prokurori edhe për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, bashkë me dy kryepleq të zonës.
Kallëzimi për kryetarin e Komunës Lazarat, vjen vetëm pak kohë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së SHtetit e denoncoi atë në Prokurori për Krime të Rënda, si njërin nga “kapot” që drejtonte organizatën kriminale në fshat. Mësohet, se denoncimi është bërë nga policia e Gjirokastrës, e cila ka bere te njejtin akt edhe ndaj dy kryepleqve të zonës, duke i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Prokurorët thane, se po verifikojne, nëse me veprimet dhe mos veprimet e tyre, të akuzuarit kanë ndikuar në mbjelljen dhe kultivimin e parcelave të mëdha me lëndë narkotike. ABC News, ka mesuar, se hetuesit janë përqendruar edhe në zbardhjen e emrave të personave që shfrytëzonin tokat e komunës në kultivimin e hashashit. Prokurorët thane, se po kryhen të gjitha verifikimet e mundshme, për të parë nëse tokat e komunës janë shfrytëzuar me miratimin e kryetarit Aliko apo pa dijenine e tij.
Zyrtarisht prokuroria, ka regjistruar 160 procedime penale për rastin e Lazaratit, me 32 persona të arrestuar, 43 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë ndërsa 85 procedime të tjera nuk kanë emra konkrete të autorëve. Burimet thane, se 7 prej të arrestuarve, po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për akuzën e krijimit te organizatës kriminale dhe vrasjes së mbetur në tentative, ndaj forcave të policisë. 25 personat e tjerë janë proceduar nga prokuroria e Gjirokastrës për hashashin dhe armët e gjetura në shtëpite dhe orborret e tyre. Ndërsa pjesa e tjetër e personave, që po hetohen në gjendje të lirë, ka të bëje me armët dhe lëndën narkotike, të gjetur në tokat e tyre apo edhe pranë shtëpive të banimit.
Grupi hetimor i prokurorisë tha për Abc News, e deri më tani nuk ka ndonjë kallëzim nga banorët e fshatit ndaj policisë apo personave konkrete. Edhe pse në fshat, janë plagosur disa persona nga të shtënat e armëve, disa familje të tjera, kanë pretenduar në deklarimet ne media, se janë dhunuar dhe grabitur nga policia. Për momentin, për këto pretendime ka nisur hetimet vetëm Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm pranë Policisë së Shtetit.
Sipas policisë, gjatë operacionit që ende vazhdon në Lazarat, janë kapur dhe asgjesuar rreth 65 tonë hashash, rreth 140 mijë rrënjë cannabis sativa, 5 kg heroinë, rreth 15 kg lëndë narkotike çokollatë dhe rreth 9 litër vaj hashashi. Po ashtu janë shkatërruar 5 laboratore të përpunimit të drogës, si dhe një arsenal I madh armësh të ndryshme, që nga fishekët e deri te armët e rënda, kundër-ajror apo mjete të tjera motorike./Abc News.