Tkurret popullsia, qarku Gjirokastër katandiset i fundit. Ka vetëm 63 mijë banorë…
Popullsia shqiptare po vijon të tkurret nga viti në vit ndërsa femrat shqiptare jetojnë 3 vite më shumë. Në vitin 2017, jetëgjatësia për femrat është 80 vjet dhe për meshkujt 77 vjet. Sipas të dhënave të INSTAT numri i popullsisë në total për vitin e kaluar rezultoi 2.87 mln banorë me një ulje prej 0.2%.Ulja e popullsisë lidhet me emigrimin uljen e lindshmërisë por edhe si rezultat i martesave të vona. Shqetësues mbetet edhe fakti se ka pasur një rritje të numrit të moshuarve dhe ulje të numrit të rinjve.
Sipas qarqeve Tirana zë 30,8 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, ndjekur nga Fieri, Durrësi dhe Elbasani. Qarku i Gjirokastrës paraqet numrin më të ulët të popullsisë me rreth 63 mijë banorë ndjekur nga qarku i Kukësit. Instat konstaton se në vitin 2017, mosha mesatare në martesë si për meshkujt dhe për femrat ka pësuar rritje me 1 vit. Një burrë martohet në moshën 31,5 vjeç dhe një grua në moshën 26,5 vjeç.
Por si janë banesat në të cilat banojnë shqiptarët?
Të dhënat e INSTAT tregojnë se banesat me sipërfaqe deri në 90 metra katrorë zënë peshën më të madhe të të gjithë banesave ndërsa banesat me sipërfaqe 91-130 metra katrorë renditen në vendin e dytë. Pjesa më e madhe e banesave janë në pronësi të familjeve.