Tradita pritet të dominojë menynë e darkës së Vitit të Ri
Me afrimin e festave të fundvitit, amvisat shqiptare mprehin thikat dhe nxehin furrat teksa bëhen gati të përgatisin darkën e veçantë dhe të shijshme të ndërrimit të viteve. Përgatitjet fillojnë disa ditë përpara, me blerjen e perimeve, mishit, gjelit dhe frutave në tregjet pranë shtëpisë ose në pazarin e qytetit.
‘Mbreti i flijuar’ i mbrëmjes mbetet gjeli i detit i pjekur, çmimi i të cilit varion nga 500 lekë e lart për kilogramë sipas cilësisë dhe prejardhjes së tij. Gatimi më tradicional i darkës së fundvitit është përsheshi që përgatitet ndryshe sipas zakoneve të zonave të Shqipërisë.
“Këtë vit kam menduar të gatuaj të zakonshmet: përsheshin e gjelit të detit, supën me të brendshmet e tij, sallatën ruse, atë me panxhar dhe për ëmbëlsirë bakllava, kadaif dhe mbase shëndetlije, të gjitha të gatuara vetë në shtëpi,” tregon për BIRN, zonja Shaze, një shtëpiake nga Vlora.
Me bazë lëngun e gjelit të pjekur në furrë, përsheshi përmban kulaçin e pjekur vetë ose bukë misri, shoqëruar me qepë ose pras dhe së fundmi me të brendshmet e gjelit.
“Si meny të Vitit të Ri kam menduar të gatuaj pilaf me lëngun e gjelit të detit, qofte me mish dhe perime, patate. Nuk do të mungojnë edhe sallatat e zakonshme si ajo ruse dhe mesdhetare të cilat kam menduar t’i ble të gatshme që t’i kushtoj më shumë rëndësi gatimeve të tjera,” tha për BIRN, zonja Drita, një mësuese nga Elbasani.
Sallata ruse është një ndër sallatat më të përhapura që gjendet në tryezat e familjeve shqiptare, kryesisht në natën e Vitit të RI. E njohur si sallata Olivier në Rusi, ajo përgatitet me patate, karrota, bizele dhe fasule të gjitha të ziera e të mbledhura me majonez.
“Për ëmbëlsirë mbetet bakllavaja tradicionale, të cilën këtë vit do ta ble në një pastiçeri, pasi përgatitja e saj kërkon shumë mund dhe shpenzimet janë të përafërta me blerjen të gatshme,” shtoi zonja Drita.
Si ëmbëlsira kryesore për familjet shqiptare gjatë festës së Vitit të Ri, bakllavaja ka një kosto jo të vogël, që nga mielli, arrat, sheqeri, gjalpi dhe koha e pjekjes në furrë.
Bakllavaja e ka origjinën nga ish-Perandoria Osmane, ku në histori e gjejmë si ëmbëlsirën e kuzhinës perandorake të Pallatit Topkapi në Stamboll. Mendohet se ka qenë ëmbëlsira e preferuar e Turqisë dhe vendeve të Azisë Qendrore edhe më herët se shekulli i 13.
Shqipëria, që e ka provuar në sundimin osman për rreth 500 vjet, ka përvetësuar shumë gatime dhe ëmbëlsira turke. Një prej tyre është edhe kadaifi, i cili gjithashtu nuk i mungon tryezave shqiptare në mbrëmjen e Vitit të Ri.
“Në tryezën e familjes sime, do të shtroj pulën e detit, përsheshin me bukë misri, sallata të ndryshme dhe për ëmbëlsirë do të ketë shëndetli,” tha për BIRN zonja Valentina, një shtëpiake nga Lushnja.
Shëndetlija është një tjetër ëmbëlsirë tradicionale që ka si përbërës miellin, gjalpin, arrat, vezët, sheqerin dhe mjaltin. Ajo është një alternativë me më pak kalori dhe lodhje sesa bakllavaja.
Alma, e cila është përkthyese me profesion, tregon se për shkak të shtatzënisë këtë vit do të gatuajë vetëm gjelin me përsheshin e bukës së misrit dhe pjesën më të madhe të ushqimeve të fundvitit do t’i blejë të gatshme.
Vitet e fundit, një pjesë e familjeve shqiptare zgjedhin të bëjnë pjesë të mbrëmjes së tyre një ëmbëlsirë më të lehtë dhe më moderne, siç është panetonia, një lloj keku me çokollatë ose rrush të thatë që te ne është prezantuar kryesisht prej emigrantëve të ardhur nga Italia, vend ku përdoret për festat e Pashkëve dhe për Krishtlindje.
Një tjetër traditë e disa zonave të Shqipërisë është byreku me lek, i cili përgatitet në mbrëmjen e Vitit të Ri ose në ditët e para të vitit tjetër dhe besohet se përcakton se cili nga pjesëtarët e familjes do të ketë më tepër fat në pasuri përgjatë 12 muajve të ardhshme. Një pjesë e amvisave e përgatisin këtë byrek në Ditën e Verës duke përdorur jeshillëqet e stinës.
“Gjeli i detit do të jetë pjata kryesore që do t’i shërbej familjes sime në mbrëmjen e fundit të vitit. Gjithashtu do përgatis përsheshin me bukë misri, sallatë ruse, salcë kosi, biftek, shishqebap dhe qofte. Ndërsa ëmbëlsira do të jetë bakllavaja e përhershme që e pjek gjithnjë në shtëpi,” zbuloi për BIRN zonja Vangjeli, një pensioniste nga Durrësi.
Por përveç alternativës së pjekjes në shtëpi, furrat e bukës në qytete të ndryshme të Shqipërisë, vënë në dispozicion çdo fundvit furrat e tyre për një pjekje më të mirë të bakllavasë apo gjelit të detit me një çmim simbolik.
Dhe nuk janë të paktë ata që ia besojnë suksesin e ‘darkës së fundit’ të 31 dhjetorit këtyre furrave.
“E sjell çdo vit bakllavanë e përgatitur vetë të piqet këtu, kryesisht prej cilësisë së furrës, por edhe që të krijoj hapësirë në shtëpi për të përgatitur gatimet e tjera. E krijova këtë zakon disa vite më parë, kur ndodhte rëndom që të na iknin dritat ditën e Vitit të Ri duke na i lënë gatimet përgjysmë,” tha për BIRN zonja Jeta, një banore e Njësisë 5 në Tiranë.
Me sytë nga anëtarësimi në familjen e madhe të Bashkimit Europian dhe me lugën nga pjatat e tyre tradicionale, shqiptarët do të takojnë gotat këtë fundvit duke uruar si zakonisht “Mot më mirë”.
BIRN