Tre të arrestuar në Lazarat, policia gjeti drogë në banesat e tyre
Edhe pse Lazarati u hoq nga harta e zonave ku kultivohej lëndë narkotike, prej fshatit “rebel” vazhdojnë ende të mbërrijnë lajme. Policia e Gjirokastrës ka arrestuar mëngjesin e sotëm shtetasin e shpallur në kërkim, Sulo Toto. Ai akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në kontrollin që policia ushtroi në banesën e tij, gjatë operacionit të qershorit 2014, iu gjet një bidon me 5 litra vaj hashashi.
Po kështu është arrestuar shtetasi Ramis Toto, me akuzën për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Në tokën e tij, gjatë operacionit të qershorit, policia gjeti 85 rrënjë kanabis. Tjetër i arrestuar është Dhurim Çelo. Këtij iu gjet në banesë 65 kg marijuanë. Materialet hetimore në ngarik të këtyre shtetasve i kaluan për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda.