Tritan Shehu mbledh PD-në e Gjirokastrës. Dhe një koment “thumbues” në Facebook
Partia Demokratike në Gjirokastër ka nisur organizimin për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një takim me strukturat lokale të kësaj partie, nën drejtimin e Tritan Shehut. Në fillim të javës që po mbyllet, Tritan Shehu u caktua si drejtues i Shtabit Elektoral të PD-së për zgjedhjet lokale në Bashkinë Gjirokastër dhe Bashkinë Libohovë.
Në takim, përvec kryetarit të PD-së në Gjirokastër, Roland Bejko, ishin edhe ish-ministri Spiro Ksera, i cili do të drejtojë fushatën zgjedhore në Bashkinë Dropull, si dhe të tjerë funksionarë e ish-funksionarë të Partisë Demokratike.
Teksa shpërndau disa foto në Facebook nga takimi, Tritan Shehu shkruan: “Per mua eshte nje kenaqesi e vecante qe do perfshihem ne kete fushta per Bashkite e Gjirokastres e Libohoves. Kjo jo vetem se keshtu “rifreskoj” rrenjet e familjes sime gjirokastrito-libohovite, por dhe sepse ato qendra jane vatra te vlerave te medha historike, patriotike, kulturore, demokratike, europianiste e perendimore te vendit tone”.
Përvec komenteve përgëzuese, në rrjetin social të ish-ministrit të Jashtëm, s’kanë munguar as komentet “thumbuese”. Dikush i kujton atij të shkuarën e babait, i cili ka qenë Sekretar i Partisë Komuniste në Durrës, ndërsa e fton që të kontribuojë për qytetin bregdetar. Tritan Shehu është akuzuar në media si pjesë e një grupi të rinjsh, të cilët u pritën në takim nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia, për t’u përgëzuar për aksionin e tyre për prishjen e kishave dhe xhamive në vitin 1967. Vetë Shehu ka thënë më pas se është takuar me Hoxhën dhe Alinë si nxënës me rezultate të larta, ndërsa mohon të ketë pasur rol në revolucionin antifetar në vend.