Tsipras, kryeministri ateist i Greqisë që nuk pranoi betimin fetar
Për herë të parë në historinë e saj, Greqia ka nga dita e sotme kryeministrin më të ri në moshë, 41-vjeçarin Alexis Tsipras. Dhe po për herë të parë në historinë e saj, një kryeministër grek merr detyrën pa një betim fetar. Tsipras i veshur thjeshtë, si gjithnjë pa kravatë, ishte sot para presidentit në ikje, Karolos Papulias, ku bëri vetëm nje betim politik prej 24 fjalësh.
“Unë ju siguroj se me nderin dhe ndërgjegjen time do të përkrahë Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’i shërbejë interesit të përgjithshëm të popullit grek”, tha Tsipras.
Ai mbërriti në Pallatin Presidencial i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Më herët Alexis Tsipras u takua për kortezi edhe me kryepeshkopin e Athinës dhe gjithë Greqisë, Hieronimus, të cilit i tha:
“Erdha këtu për të marrë urimin tuaj. Ju siguroj se marrëdhëniet shtet-kishë do të përmirësohen dhe do të jenë më efektive sesa në të kaluarën”
Si një ateist i përbetuar, Tsipras i ka thënë ndër të tjera kryepeshkopit të Greqisë se ai nuk është martuar në kishë dhe nuk i ka pagëzuar dy fëmijët sipas riteve ortodokse. Kështu që edhe tani si kryeministër i vendit nuk mund të bënte një betim fetar, nuk mund të dilte kundër atyre bindjeve që ka mbrojtur për gjithë këto vite. Pas kolaicionit me partinë “Grekët e Pavarur”, Tsipras do të ketë një shumicë parlamentare prej 162 deputetësh.